OVL e UÇK-së mbështet Avokatin e Popullit pasi shprehu shqetësime për punën e Gjykatës Speciale

14:40 | 14 Maj 2025
ovl-e-uck-se-mbeshtet-avokatin-e-popullit-pasi-shprehu-shqetesime-per-punen-e-gjykates-speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur mbështetjen e plotë për qëndrimet e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, lidhur me trajtimin e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Duke i akuzuar Dhomat e Specializuara për qasje selektive dhe të njëanshme, OVL e UÇK-së renditi disa shqetësime të tyre.

1. Zvarritjen e tejzgjatur të paraburgimit,

2. Mungesën e transparencës në procedura,

3. Pamundësinë për të vizituar të gjithë të burgosurit si dhe mospërfilljen e institucioneve vendore të sigurisë,

“Është e papranueshme që qytetarët e Kosovës të mbahen për vite të tëra në paraburgim, duke u mohuar mundësinë për gjykim të drejtë, të shpejtë dhe pranë vendit të tyre. Ky trajtim, që shpërfill edhe prezumimin e pafajësisë, është jo vetëm i padrejtë, por edhe i dëmshëm për të ardhmen demokratike dhe sovrane të vendit tonë”.

Organizata tha se vlerëson “përkushtimin e Avokatit të Popullit” në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe se “e fton atë që të vazhdojë me vendosmëri monitorimin dhe adresimin e shkeljeve që ndodhin ndaj të akuzuarve nga Kosova”.

OVL-UÇK iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe opinionit të gjerë publik :që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj shkeljes së të drejtave të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me dinjitet kanë shërbyer vendit dhe janë dorëzuar vullnetarisht, duke treguar respekt për drejtësinë e cila, për fat të keq, po i nëpërkëmb”.

“Liria dhe drejtësia janë të pandashme dhe nuk mund të ketë drejtësi pa dinjitet dhe barazi”.

Komento: