Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Poznan të Polonisë, ku me ftesë të organizatorëve mori pjesë në konferencën IMPACT 2025, që këtë vit shënon edicionin e 10-të.
Dje në mbrëmje, ishte në darkën e shtruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski dhe drejtori i konferencës, Sławomir Sierakowski, ku pati rastin të bashkëbisedojë me ministrin polak Sirkoski, zj.Anne Applebaum, si dhe ish Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry.
Gjatë qëndrimit në Poznan, kryeministri gjithashtu takoi ish-konsullin e nderit të Shqipërisë atje, historianin, etnologun dhe albanologun, Jaroslaw Rosochacki, që interesimin e tij për çështjen shqiptare dhe të Kosovës e filloi në vitet e 70-ta. Vizitën e parë në Kosovë z.Rosochacki e realizoi në vitin 1978, ndërkaq herën e fundit në Kosovë ishte në vitin 2022. Kryeministri e falënderoi për veprën dhe kontributin e tij kushtuar vendit tonë.