Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, Nathalie Loiseau, në një konferencë për media ka publikuar raportin e misionit për zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Ajo tha se këtë raport ia ka dërguar presidentes Osmani, kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të KQZ’së Kreshnik Radoniqi.
“Në emër të misionit më lejoni ta falënderoj presidenten e Kosovës për ftesën që të vëzhgojmë këto zgjedhje. Gjithashtu dua të shpreh vlerësimin tim për njerëzit e Kosovës, dedikimi i tyre për procesin demokratik është i qartë”, tha ajo.
Loiseau bëri të ditur se puna e këtij misioni nisi në fillim të janarit dhe vazhdoi gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe se të angazhuar ishin 104 vëzhgues.
Ajo tha se ky raport përmban një vlerësim gjithëpërfshirës të zgjedhjeve dhe 19 rekomandime për të përmirësuar proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë.
“Shpresojmë që këto rekomandime të shërbejnë si bazë për reflektim dhe dialog, dialog mes të gjitha palëve të interesuara, partive politike, mediave, organeve zgjedhore dhe komuniteteve të ndryshme”, tha Loiseau.
Ajo përmendi ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, duke e cilësuar si përmirësim regjistrimin online të votuesve jashtë Kosovës.
“PZAP trajtoi me shpejtësi me një numër të konsiderueshëm rastesh gjatë procesit zgjedhor”, tha ajo, derisa shtoi se Gjykata Supreme trajtoi rastet me kohë.
Loiseau tha se fushata ishte njollosur nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse, pa përmendur emra.
“Fushata ishte vibrante dhe kemi vërë re një rritje të pluralizmit politik, por në anën tjetër dinamika e periudhës së fushatës ishte e njollosur nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse”, tha ajo.
“Ne vëzhguam politizimin e institucioneve kyçe të përfshira në zgjedhje, KQZ fillimisht dështoi ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhje dhe të aprovojë fondet për partitë në kohë”, tha ajo.
Ajo e përmendi edhe rënien e faqes online të KQZ’së natën e zgjedhjeve.
“Kjo ndikoi procesin e tabelimit dhe vonoi publikimin e rezultateve preliminare duke e vënë në rrezik besimin e publikut”, tha ajo.