Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se PDK nuk do ta votojë për kryetar të Kuvendit asnjë nga emrat që kanë qenë pjesë e Qeverisë Kurti 2.
“Unë nuk kam dhënë propozime të emrave konkret pikërisht për të ruajtur parimin që propozimi i takon partisë së parë. Megjithatë kolegu ynë z.Haradinaj ka propozuar dy emra: zonjën Bogujevci dhe zonjën Selimi të cilat jam i bindur se do t’i merrnin votat. Haradinaj ka thënë publikisht se do t’i votonte. Tani unë po përgjigjem konkretisht këtë që ia kam thënë z.Kurti. Ndoshta është hera e parë që po e them publikisht por qëndrimi i PDK-së është që ne nuk do ta votojmë asnjëherë asnjë nga anëtarët e qeverisë Kurti II sepse konsiderojmë se të gjithë janë përgjegjës për degradimin që e kanë sjellë vendin tonë.”, tha kreu i PDK-së.
Ai e ka komentuar edhe takimin e sotëm mes liderëve të partive politike dhe Presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se nuk ka pasur pritje për zgjidhje konkrete, por e konsideron takimin si një hap të rëndësishëm drejt daljes nga kriza.
Kreu i PDK-së fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për vazhdimin e bllokadës institucionale, duke e lidhur këtë me insistimin për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
“Kam propozuar që Presidentja, në përputhje me kompetencat e saj, të shqyrtojë mundësinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një pyetje për interpretim kushtetues,” shtoi ai.