Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj raportimeve për kontratën e diskutueshme të nënshkruar për fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore, duke i quajtur akuzat ndaj tij shpifje dhe spekulime mediatike.
Peci komentoi raportimet se një kompani nga Serbia ka fituar kontratën, duke theksuar se nuk është në kompetencën e tij të kontrollojë përbërjen apo historikun e konzorciumeve që aplikojnë në tenderë publikë dhe sipas tij pronari nuk është serb.
“Krejt çka ekziston në dosje, prej A deri në Zh, i kemi deponuar në Prokurori. Zyrtarëve që kanë marrë pjesë në procesin e vlerësimit u kam thënë se do të mbajnë barrën e përgjegjësisë,” deklaroi Peci.
“Si ministër nuk kam kërkuar të futem në dosjet e kompanive apo të hulumtoj historikun e konzorciumit.,” shtoi ai.
Peci gjithashtu kritikoi ashpër një emision televiziv ku u trajtua ky rast, duke e quajtur atë “më spekulativin dhe shpifësin në historinë e mediave të Kosovës”.
“Unë jam njeri i përgjegjshëm. Jam prej mishi e thoi. Por kur në një studio televizive shpifen gjëra dhe më atribuohen epitete katastrofale, është e papranueshme,” u shpreh ai.
Peci u mundua që ta largojë përgjegjësinë nga vetja.
“S’ta kom idenë se kush janë emrat e përveçëm. Nënshkrimi jem kur t’ma bin kontratën unë them a është administru kjo në rregull, proceduralisht. Po”, tha Peci.
Ai tha se në raportimet e mediave ka shumë pasaktësi.
Peci u pyet se pse ka nënshkruar një kontratë me një kompani që është regjistruar 5 ditë pas shpalljes së tenderit, ndërsa si kriter kërkohet që kompania të ketë përvojë pune deri në 15 vjet.
Peci insiston se kjo nuk është shkelje, pasi sipas tij, Kosova s’mundet me pas një kompani që ka aq shumë përvojë pune.
“U kon e qartë si loti, Kosova s’munet me pas një kompani që ka një përvojë 10, 12 apo 15 vite në trajtimin e një fushe siç janë mbetjet. Kjo ka qenë e qartë si loti që kosovari çfarëdo biznesi që ka smundet me plotësu atë kriter.”, tha ai.
Ai tha se bizneset kur të regjistrohen në ARBK nuk u kërkohet shtetësia.
Sipas të dhënave, pronar i kompanisë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi është një kompani tjetër me emër “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë e cila është në pronësi të shtetasit të Serbisë, Muamer Ragipoviq.
Muamer Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të zi që kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.
Kompania “MR & MNE” D.O.O. me pronar Muamer Ragipoviq ishte tërhequr nga biznesi që fitoi kontratën nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 20.02.2025, 1 muaj e 10 ditë pasi ishte nënshkruar kontrata për fabrikën.