Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’’.
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se S.S, i nacionalitetit serb me datë 14.10.2023, rreth orës 08:20, në fshatin Dren të Komunës së Zubin Potokut, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të nxitjes së urrejtjes, prishjes së rendit publik, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike në Republikën e Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 14 tetor të 2023-ës gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një maicë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme, të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin “NE DAMO TE ZEMLODUSANOVA” (që në gjuhën shqipe nënkupton “Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”), ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKE KOLOSIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovës.
I pandehuri S.S me këto veprime publikisht ka nxitur urrejtje ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën që ka mundur të shkaktoj prishjen e rendit publik.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, aktakuzën e ka dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.