Duke u bazuar në Planin e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2025, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë, Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka zhvilluar Kursin për Mbrojtje të Afërt.
Sipas FSK-së, kursi është realizuar nga instruktorët e certifikuar të PU-së, në bashkëpunim me instruktorë gjermanë si dhe është monitoruar nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), transmeton Klankosova.tv.
Në kuadër të këtij trajnimi dhe bashkëpunimi me instruktorët gjerman, janë realizuar stërvitjet: Teknikat e qitjes me armë të shkurtër dhe të gjatë, teknikat e vetëmbrojtjes, taktikat e lëvizjes në formacione, taktikat e lëvizjes me automjete etj.
Ky kurs, si i tillë, realizohet për herë të parë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i cili ka për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të PU-së në fushën e Mbrojtjes së Afërt.
Përfundimi me sukses i këtij kursi, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale të Policisë Ushtarake.