Nga 1 maji 2025 qytetarët e Kosovës do t’i paguajnë për 16.1% më shtrenjtë faturat e energjisë elektrike. Ky njëherit është shtrenjtimi i tretë i tarifave energjetike që ka ndodhur brenda katër viteve të fundit. Ky ndryshim, i justifikuar nga nevoja për të mbuluar kostot e larta të importit dhe kërkesat e operatorëve energjetikë, ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. Tarifat e reja prekin veçanërisht konsumatorët që tejkalojnë pragun prej 800 kilovatësh në muaj, ndërsa çmimet janë më të ulëta gjatë orëve të natës. Përjashtim nga kjo rritje bëjnë komunat veriore, të furnizuara nga Elektrosever, e cila nuk ka aplikuar shtrenjtim të rrymës për vitin 2025.
Më 13 maj 2025, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dorëzoi një kërkesë zyrtare në ZRRE, duke kundërshtuar rritjen e propozuar të çmimit të rrymës. LDK e konsideron rritjen të papërballueshme për qytetarët dhe bizneset, duke kritikuar Qeverinë për mungesë investimesh në energji.
Hasanaj: Protestat nuk ndalen derisa të anulohet rritja e çmimit të energjisë
Luan Hasanaj, organizatori i grupit qytetar “Asnjë cent më shumë”, ka deklaruar për Front Online se protestat kundër rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, sapo të formohen institucionet dhe të konstituohet qeveria e re.
“Po, protestat do të vazhdojnë. Ne jemi të bindur se rritja e çmimit të energjisë është e padrejtë dhe e rëndë për qytetarët, prandaj sapo të formohen institucionet dhe të konstituohet qeveria e re, protestat do të rifillojnë me intensitet edhe më të madh”, tha Hasanaj.
Ai e vlerësoi si hap pozitiv kërkesën e LDK-së për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke theksuar se pret veprime konkrete nga të gjitha partitë politike.
“Kërkesa e LDK-së për anulimin e vendimit është një hap pozitiv. E mirëpresim dhe shpresojmë që kjo nismë të mos mbetet vetëm deklarative. Presim që edhe partitë e tjera politike ta ndjekin këtë shembull dhe pas formimit të Kuvendit, të ndërmerren hapa konkrete për thirrjen në përgjegjësi të Bordit të ZRRE-së dhe anulimin e këtij vendimi arbitrar”, u shpreh Hasanaj
Ali Sefaj: Protestat rikthehen pas konstituimit të Kuvendit
Sindikalisti Ali Sefaj, i cili njëherit është njëri nga organizatorët e protestave kundër shtrentjtimit të energjisë elektrike me moton: “Asnjë cent më shumë” ka konfirmuar se protesta kundër shtrenjtimit të energjisë do të organizohen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
‘’Po, protestat do të organizohen patjetër. Por ato nuk do të jenë simbolike. Ato do të organizohen menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, sepse aktualisht nuk kemi një adresë funksionale ku mund të ushtrojmë presion institucional’’, deklaroi Sefaj.
Në lidhje me kërkesën e LDK-së për anulimin e vendimit të ZRRE-së, Sefaj e ka cilësuar si një hap të drejtë dhe në përputhje me interesin publik. Ai e përshëndet angazhimin opozitar për mbrojtjen e qytetarëve, pavarësisht motivime
‘’Kërkesa e LDK-së është një veprim i drejtë dhe në përputhje me interesin publik, pavarësisht motivimeve politike që mund të ketë. Në këtë rast, ajo ka shërbyer si zë opozitar që mbron interesin e qytetarëve dhe bizneseve ndaj një vendimmarrjeje krejtësisht arbitrare dhe të pashpjegueshme nga ana e ZRRE-së’’, deklaroi Sefaj.
Shatri: ZRRE qëndron nën urdhër të qeverisë
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, ka shprehur kritika të ashpra ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ai ka sugjeruar se ZRRE, në mënyrë të mbyllur, ka vepruar me pëlqimin e Qeverisë, duke mos marrë parasysh kërkesat e deputetëve.
‘’ Mendoj që në një farë forme ZRRE-ja në formë të mbyllur e ka marrë pëlqimin nga urdhër dhënësi që është qeveria dhe nuk e konsiderojnë kërkesën e deputetëve ta përfilli’’, deklaroi Shatri.
Sipas tij, kjo përbën një formë të grushtetit politik, ku përmes heshtjes po tentohet të anashkalohet Kuvendi dhe të forcohet një qeverisje që po i ngjan një ekzekutivi të përhershëm, siç e sheh ai në kabinetin e Albin Kurtit. Megjithatë, Shatri ka shprehur bindjen se një qasje e tillë nuk do të mund të mbijetojë.
‘’ Kjo është një farë dore një sistem në heshtje i një grushteti politik për të mos njohur e nëpërkëmbur kuvend dhe në një farë dore për ta bërë një qeveri të përhershmes si po shohin në ëndërr kabineti I Kurtit por nuk besoj që munden’’, tha Shatri.
Jakup Bellaqa: Rritja e tarifave po e dobëson fuqinë blerëse dhe po krijon krizë shumëdimensionale
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka vlerësuar se rritja e tarifave të energjisë nga ZRRE ka shkaktuar shqetësime të mëdha tek qytetarët, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë social dhe politik. Sipas tij, ky vendim ka dëmtuar zinxhirin e furnizimit me produkte bazike, ka rënduar ekonomitë familjare dhe ka goditur sektorët prodhues dhe të shërbimeve, duke dobësuar fuqinë blerëse të konsumatorëve.
‘’ Me rritjen e tarifave nga ZRrE- ja, është krijuar një shqetësim te qytetaret ne aspektin ekonomik, social, dhe politik sepse e ka vështirësuar zinxhirin furnizues te produkteve elementare bazike dhe ekonomive familjare si dhe te sektorët e bizneseve prodhuese dhe te shërbimeve, dhe e ka dobësuar fuqinë blerëse te konsumit’’, tha Bellaqa për FrontOnline.
Bellaqa ka kritikuar ZRRE-në për mospërfilljen e kërkesave dhe protestave të qytetarëve, duke e cilësuar krizën si shumëdimensionale. Ai paralajmëron se po zvogëlohet shtresa e mesme dhe po krijohet një paqëndrueshmëri e thellë ekonomike e sociale në vend.
‘’ Ndërsa ZRrE- ja, si organ kompetente për rregullimin e tregut të energjisë elektrike ( tarifave te energjisë) ne ketë rast nuk po i merr parasysh kërkesat, ankesat dhe protestat e qytetarëve e rritë krizën e bënë shumë dimezionale dhe jo vetëm ekonomike por edhe sociale dhe politike dhe e vështirëson jetën ekonomike’’, deklaroi Bellaqa.
Në fund, Bellaqa bën thirrje për ndërhyrje institucionale, duke kërkuar mekanizma të kontrollit të çmimeve dhe politika balancuese për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe për të stabilizuar efektet negative në ekonomi
‘’ Por sugjerimi im është se institucionet përgjegjëse duhet te veprojnë dhe te kenë mekanizma zbatues te kontrollit të çmimeve dhe te krijojnë balancime ekonomike dhe sociale drejt lehtësimit te jetës se qytetarit dhe përmirësimit të oscilimeve ekonomike dhe efekteve ekonomike’’, përfundoi Bellaqa.