141 çifte bashkëshortore në Kosovë i dhanë fund martesës në muajin shkurt 2025. Kjo e dhënë e publikuar nga Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC) risolli në vëmendje dukurinë në rritje të divorcit.
Avokati, Ardian Bajraktari vë në dukje një shtim të ndjeshëm të rasteve të shkurorëzimeve vitet e fundit.
“Janë faktorë të ndryshëm që çojnë në shkurorëzime të çifteve bashkëshortore si tradhtia bashkëshortore, krizat ekonomike, tensionet sociale e shkaqe të tjera”, tha Bajraktari.
Ai duke u ndalur në procesin e shkurorëzimit thekson se është dukshëm më i lehtë, kur palët kanë marrëveshje të ndërsjellë.
Avokati Bajraktari vuri në pah se ndarja e çifteve bashkëshortore sfidohet kur përfshihen çështje si ndarja e pasurisë apo kujdestaria e fëmijëve.
“Varësisht prej rasteve, aty ku ka marrëveshje të dyanshme, natyrisht procesi i shkurorëzimit shkon më shpejt. Çështja komplikohet kur kemi fëmijë në mes, sepse vazhdon me procesin e kontaktit, të besimit dhe të rritjes së fëmijëve. Vlen të theksohet edhe ndarja e pasurisë, e cila është sfiduese dhe mund të paraqes vështirësi. Varësisht prej rrethanave të rastit konkret, kur kemi të bëjmë me marrëveshje, si rregull procesi i shkurorëzimit shkon shumë më shpejt. Por kur kemi ndarje të pasurisë apo fëmijë në mes, natyrisht që procesi mund të zgjasë”, tha ai.
Avokati Bajraktari shtoi se pasuria e krijuar prej momentit të lidhjes së martesës ndahet në pjesë të barabarta.
“Çdo pasuri e krijuar prej momentit të lidhjes së martesës ndahet në pjesë të barabarta, përveç nëse bashkëshortët merren vesh ndryshe. Në praktikë, akoma është sfiduese, sepse një pjesë bukur e madhe nuk kanë pasuri në emër të tyre, prandaj në praktikë kemi vështirësi në konstatimin e pasurisë,” tha Bajraktari. /EO/