Drejtori i Gjinekologjisë: Mbi 500 pacientë janë kontrolluar dhe po presin fillimin e procedurave për IVF

14:18 | 18 Maj 2025
drejtori-i-gjinekologjise:-mbi-500-paciente-jane-kontrolluar-dhe-po-presin-fillimin-e-procedurave-per-ivf

Janë mbi 500 pacientë që janë kontrolluar dhe po presin fillimin e procedurave për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (IVF) në sektorin publik shëndetësor të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur për portalin Front Online drejtori i Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.

“Reparti i IVF është duke funksionuar dhe po punon sipas procedurave standarde operative të parashikuara. IVF është një procedurë e ndarë në disa faza. Në fazën e parë bëhet kontrollimi, kompletimi i pacientëve me analiza dhe klasifikimi i atyre që mund t’i nënshtrohen intervenimit. Deri më tani, në këtë fazë janë konsultuar dhe kontrolluar mbi 500 pacientë”, deklaroi Ndrejaj.

Ai ka paralajmëruar se ky repart së shpejti do të fillojë me fazën e dytë atë të stimulimit të vezorëve.

“Së shpejti do të fillohet me fazën e dytë, e cila është faza e stimulimit të vezoreve. Faza e fundit përfshin ndërhyrjen, pra aspirimin dhe marrjen e qelizës vezë, si dhe transferimin e vezës së fekonduar”, shprehet ai.

Përndryshe, më 26 janar të 2024-tes, Qeveria e Kosovës pati miratuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor .

Deri tani ky shërbim për qytetarët e Kosovës është kryer vetëm në klinika private dhe jashtë vendit, procedura këto që kanë qenë të kushtueshme në aspektin financiar.

Fertilizimi i asistuar mjekësor është frytnimi i asistuar mjekësor me ç ‘rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve.

Ish-deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, pati thënë se e kundërshton idenë që e drejta e fertilizimit të asistuar mjekësor t’u jepet edhe grave të pamartuara pasi ka rrezik të incestit në të ardhmen.

Ky ligj parasheh rregullimin e organizimit, funksionimit, rolit dhe përgjegjësisë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues, me qëllim të ruajtjes, promovimit, përmirësimit të të drejtave të shëndetit seksual dhe riprodhues./Front Online/

 

Komento: