Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet aktuale rreth krizës institucionale dhe rolin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese në këtë situatë.
Ai ka theksuar se kërkesa e dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk është e barasvlershme me paralajmërimin e presidentes Osmani për të ndërhyrë në rast të mungesës së marrëveshjes politike.
“Nuk është e njëjtë kërkesa e AAK-së me përcaktimin dhe paradeklarimin e presidentes Osmani për të intervenuar në rast se partitë politike nuk merren vesh për tejkalimin e krizës politike,” tha Baraliu.
Sipas tij, presidentja do të drejtonte një kërkesë me një natyrë tjetër, ndërsa kërkesa e AAK-së është për të sqaruar vetëm një segment, rreth votimit të kryetarit të Kuvendit.
‘’Ndërsa kërkesa e AAK-së është për të sqaruar vetëm një segment, rreth votimit të kryetarit të Kuvendit’’ potencoi ai.
Baraliu tha se pret që subjektet politike tashmë ta kenë kuptuar se zvarritja e këtij procesi është bërë e pajustifikueshme dhe duhet të përfundojë.
“Unë pres që subjektet politike tashmë e kanë kuptuar se janë tejkaluar dhe tepruar zgjatjet e këtij procesi, të shndërruar pa arsye në një proces krize, dhe do të merren vesh, duke shmangur nevojën për ndërhyrje nga presidentja.” u shpreh Baraliu.
Ai theksoi se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë të kufizuara dhe të qarta.
“Është parim i veprimit praktik që Gjykata Kushtetuese nuk vepron jashtë kornizave të kërkesës së drejtuar ndaj saj. Ajo e vlerëson kërkesën, ose e pranon ose e refuzon atë dhe vepron vetëm në suaza të kërkesës dhe jo jashtë saj,” sqaroi Baraliu, duke theksuar se çdo veprim jashtë kësaj kornize do të ishte “anti-ligjor”.