Në mungesë të një marrëveshjeje politike për kapërcimin e ngërçit politik, vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë tek Gjykata Kushtetuese.
Subjektet politike vazhdojnë të qëndrojnë në pozicione të pandryshuara, ndërsa procesi për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve mbetet i bllokuar.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar interpretim lidhur me formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi u ndryshua forma nga votim i hapur në të mbyllur.
Në këtë klimë paqartësie, pritet që Gjykata Kushtetuese të japë një interpretim që mund të shërbejë si rrugëdalje ligjore.
Mbi këtë kontekst, pritshmëritë për rolin e Kushtetueses janë të larta por edhe të kujdesshme, për shkak të kufizimeve të saj ligjore rreth kërkesës së AAK-së dhe mungesës së vullnetit politik nga ana e spektrit parlamentar.
Një përgjigje e Gjykatës Kushtetuese për raste të tilla parashihet juridikisht të merr kohë maksimumi deri në 60 ditë.
Baraliu: Kërkesa e AAK-së nuk është e njëjtë me paralajmërimin e presidentes Osmani – Gjykata Kushtetuese nuk vepron jashtë kërkesës së drejtuar
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet aktuale rreth krizës institucionale dhe rolin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese në këtë situatë.
Ai ka theksuar se kërkesa e dorëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk është e barasvlershme me paralajmërimin e presidentes Osmani për të ndërhyrë në rast të mungesës së marrëveshjes politike.
“Nuk është e njëjtë kërkesa e AAK-së me përcaktimin dhe paradeklarimin e presidentes Osmani për të intervenuar në rast se partitë politike nuk merren vesh për tejkalimin e krizës politike,” tha Baraliu.
Sipas tij, presidentja do të drejtonte një kërkesë me një natyrë tjetër, ndërsa kërkesa e AAK-së është për të sqaruar vetëm një segment, rreth votimit të kryetarit të Kuvendit.
‘’Ndërsa kërkesa e AAK-së është për të sqaruar vetëm një segment, rreth votimit të kryetarit të Kuvendit’’ potencoi ai.
Baraliu tha se pret që subjektet politike tashmë ta kenë kuptuar se zvarritja e këtij procesi është bërë e pajustifikueshme dhe duhet të përfundojë.
“Unë pres që subjektet politike tashmë e kanë kuptuar se janë tejkaluar dhe tepruar zgjatjet e këtij procesi, të shndërruar pa arsye në një proces krize, dhe do të merren vesh, duke shmangur nevojën për ndërhyrje nga presidentja.” u shpreh Baraliu.
Ai theksoi se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese janë të kufizuara dhe të qarta.
“Është parim i veprimit praktik që Gjykata Kushtetuese nuk vepron jashtë kornizave të kërkesës së drejtuar ndaj saj. Ajo e vlerëson kërkesën, ose e pranon ose e refuzon atë dhe vepron vetëm në suaza të kërkesës dhe jo jashtë saj,” sqaroi Baraliu, duke theksuar se çdo veprim jashtë kësaj kornize do të ishte “anti-ligjor”.
Koci: Pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk pres që të merren vesh partitë politike
Avokati Arianit Koci për FrontOnline ka komentuar ngërçin aktual politik në vend, duke theksuar se mungesa e marrëveshjes mes partive politike tregon papërgjegjësinë e klasës politike dhe domosdoshmërinë për të shkuar në zgjedhje.
“Meqenëse se politikanët i kemi të paparashikueshëm dhe është evidente që nuk mendojnë për popull, pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese unë nuk pres që të merren vesh partitë politike” u shpreh Koci,.
Ai shtoi se pozicionet mes subjekteve politike janë tërësisht të kundërta dhe se nuk ka vullnet për kompromis.
‘’Pozicionet janë të kundërta dhe po shihet se nuk duhet me u marr vesh” tha ai për FrontOnline.
Koci theksoi se një marrëveshje eventuale, edhe nëse arrihet, do të ishte që partitë të merren vesh për të shkuar në zgjedhje të reja.
“Edhe nëse merren vesh, më së miri është të shkohet në zgjedhje dhe të ripozicionohen ato” përfundoi ai.
Maloku: Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë, por krizat në Kosovë zakonisht zgjidhen përmes “pazareve politike”
Profesori i sociologjisë politike, Fadil Maloku, ka vlerësuar se zhbllokimi i situatës aktuale politike në Kosovë mund të varet nga Gjykata Kushtetuese, por ka theksuar se përvoja e pasluftës dëshmon se marrëveshjet politike, formale apo joformale, kanë qenë mjeti kryesor për daljen nga krizat.
“Gjasat që Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të mund ta zhbllokojë telenovelën e ngërçit politik, për gjykimin tim, varen shumë nga gjetja e fakteve të shkeljeve të procedurave ligjore dhe sidomos nga ajo që po identifikohet si ‘vullnet politik’, që për mua është një eufemizëm për të fshehur interesat e klaneve dhe grupeve të interesit,” deklaroi Maloku.
Ai theksoi se këto dy elemente duhet t’i nënshtrohen interpretimit të Gjykatës, por vuri në pah se në praktikë, institucionet e drejtësisë nuk kanë qenë faktorët kryesorë të zgjidhjes së krizave.
“Zgjidhjet shumë më shumë janë arritur përmes marrëveshjeve politike sesa përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese,” shtoi ai.
Maloku rikujtoi disa raste të mëparshme ku Kushtetuesja ka luajtur rol të rëndësishëm, si interpretimi i nenit për zgjedhjen e presidentit, vendimet për mandatimin e kryeministrit dhe çështje që lidhen me ndarjen e pushteteve. ‘
’’Është njohur se Gjykata Kushtetuese në përvojën e procesit të shtetndërtimit dhe të kultivimit të demokracisë, ka lozur një rol të rëndësishëm sidomos gjatë shfaqjes së krizave politike në të kaluarën, si psh. në rastin e; Interpretimit të nenit për zgjedhjen e Presidentit të vendit (rasti Sejdiu dhe më vonë Thaçi); rastin e prurjes së Vendimit për mënyrën e mandatimit të kryeministrit pas zgjedhjeve; dhe sidomos rastet e; Rregullimit të shumë çështjeve që kishin zë bënin me kompetencat e institucioneve shtetërore dhe ndarjen e pushteteve’’ tha ai.
Megjithatë, sipas tij, kjo gjykatë nuk ka përvojë të suksesshme në raste ku mungon “vullneti minimal” i partive politike.
“Krizat politike, sikurse është kjo aktualja, zakonisht janë zgjidhur përmes ‘negociatave ndërpartiake’ – lexo: pazareve! – për t’u bërë hisedarë në ndarjet e pushtetit,” theksoi Maloku, duke përmendur se ky model ka funksionuar për dy arsye: “kamxhiku i Dragodanit që po mungon sot(!?)” dhe pazaret politike të fshehta, për shkak të mungesës së numrave në Kuvend.
Artan Muhaxhiri: Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta zgjidhë krizën politike, çdo gjë tjetër është humbje kohe
Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke vlerësuar se partitë politike janë të paqarta dhe irracionale në qasjen e tyre ndaj krizës institucionale.
Ai ka theksuar se mungon çdo plan konkret për zhbllokimin e situatës, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.
“Për fat të keq, partitë politike nuk kanë asnjë ide të qartë se si të procedojnë me këtë bllokadë,” deklaroi Muhaxhiri.
Ai tha se VV s’po bën hapa për zhbllokim të situatës politike.
“Si dhe janë krejtësisht irracionale, pasi në njërën anë është VV që s’bën hapa për zhbllokim të situatës, dhe është edhe opozita në anën tjetër që s’kanë përafrim dhe plan për ballafaqimin e kësaj krize.” shtoi ai.
Sipas tij, partitë politike nuk janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje reale, dhe vetëm një vendim nga instanca më e lartë juridike e vendit mund të sjellë dalje nga ngërçi aktual.
“Këtë mund ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese dhe çdo gjë tjetër është humbje kohe,” përfundoi Muhaxhiri, duke e cilësuar përgjigjen e Kushtetueses si zgjidhjen e vetme.