Ahmeti: Vjosa Osmani po punon në krijimin e një iniciative të re politike

11:10 | 19 Maj 2025
ahmeti:-vjosa-osmani-po-punon-ne-krijimin-e-nje-iniciative-te-re-politike

Vjosa Osmani po punon në krijimin e një platforme të re politike, tha sot gazetari Arben Ahmeti.

Gazetari dhe një nga drejtuesit e televizionit Kanal 10 tha se presidentja ka nisur angazhimin në formimin e një iniciative të re politike pas ndarjes me partinë Guxo të cilën e themeloi në vitin 2020.

Partia Guxo, e themeluar nga Osmani, tash e tri vite drejtohet nga bashkë-kryetarët Donika Gërvalla-Schwarz dhe Faton Peci, të dy anëtarë të Qeverisë Kurti II, raporton Paparaci.

Ahmeti, gjatë një raportimi rreth zhvillimeve politike në vend të hënën para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se presidentja Osmani ka disa javë që ka filluar “të angazhohet intensivisht në krijimin e një platforme politike”.

“Janë komunikuar personalitete të ndryshme të vendit që t’i bashkohen iniciativës së re të Vjosa Osmanit”, tha ai.

Sipas Ahmetit, ekzistojnë dy rrethana në të cilat mund të operojë iniciativa e re politike e Osmanit.

Njëra prej tyre është rikthimi i Osmanit dhe listës së saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës presidentja aktuale ka qenë deri në vitin 2020.

“Kjo listë nuk e përjashton mundësinë që të gjithë së bashku të kthehen në LDK dhe në një rrethanë të tillë Vjosa Osmani synon që të rimarrë kreun e LDK-së nëse do të hapej një garë brenda Lidhjes Demokratike”, pohoi Ahmeti.

“Në një rrethanë tjetër, Osmani do të garojë me një parti të re politike dhe do të marrë anëtarësinë dhe mekanizmat që do ta përcjellin nga Lista Guxo, përfshirë edhe potencialisht ndonjë deputet të Kuvendit të Kosovës që mund t’i bashkohet iniciativës së re të saj”, u shpreh gazetari Ahmeti.

Presidentja Osmani nisi javën e shkuar takimet konsultative me katër liderët e partive politike parlamentare me qëllim arritjen e një dakordance për zgjidhjen e ngërçit në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo priti në takim Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.

Takimi përfundoi pa sukses, por Osmani në një konferencë për media pas takimit të përbashkët paralajmëroi vazhdimin e takimeve me liderët e partive politike.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në vazhdimin e 18-të të seancën konstituive të kuvendit, në tentim për të formuar institucionet, një proces i cili ka ngecur që prej certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Komento: