Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.
Siç ka njoftuar Kryeministria, në këtë takim të parë Kurti e uroi ambasadorin për detyrën e re, teksa vlerësoi lartë kontributin e vazhdueshëm të Italisë për vendin tonë.
“Gjatë bisedës u nënvizua partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht roli i rëndësishëm i Italisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR”, thuhet në njoftim.
Po në njoftim thuhet se u diskutua edhe për nevojën dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në fushën e ekonomisë, sigurisë e mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi nga ekzekutivi.