Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata dhe prova në lidhje me “mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mosgrumbullimit të tyre”, njoftoi organi i akuzës.
“Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë se “mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik”.
Tash e disa ditë Prishtina po përballet me mbeturina të shumta përreth kontejnerëve nga mosgrumbullimi i tyre.