Kreu i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, për FrontOnline ka ngritur alarmin për pasojat e rënda ekonomike që po i kanosen vendit për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
“Këto vonesa në krijimin e institucioneve të reja, Kosovës mund t’i kushtojnë miliona euro,” deklaroi Dreshaj, duke nënvizuar se situata e krijuar po minon zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të vendit.
Sipas tij, një ndër rreziqet më të mëdha është humbja e 900 milionë eurove nga Komisioni Evropian, të cilat janë të lidhura me mosratifikimin e agjendës së reformave që do të ndihmonte Kosovën në zhvillim ekonomik dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Në rrezik janë 900 milionë nga Komisioni Evropian për shkak të mosratifikimit të agjendës së reformave që do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik dhe avancimin e integrimit në BE,” theksoi Dreshaj për FrontOnline.
Ai paralajmëroi gjithashtu se situata e bllokimit institucional po reflekton në shumë fusha të rëndësishme për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
“Pastaj buxheti, implementimi i projekteve, pastaj investimet e huaja, bllokimi i bordeve, mungesa e vendimmarrjes, mungesa e reformave – legjislacion dhe reforma fiskale,” janë disa nga aspektet që, sipas Dreshajt, po pësojnë nga kjo krizë institucionale.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Dreshaj është keqpërdorimi i agjencive të pavarura, që sipas tij, në mungesë të mbikëqyrjes institucionale, po marrin vendime të dëmshme për qytetarët dhe ekonominë.
“Situatat e tilla shfrytëzimi i disa agjencioneve të pavarura si ZRRE, që i shërbejnë interesave të dikujt në dëm të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik me vendimet e tyre,” paralajmëroi ai.