Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Qeveria është në fazën përfundimtare të hartimit të një skeme të re mbështetëse për prodhuesit vendorë, me qëllim që t’i ndihmojë ata të përballen me sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Kjo skemë sipas saj po zhvillohet me mbështetjen e Agjencisë Luksemburgase për Zhvillim (LuxDev) dhe do të përfshijë:
• Izolimin e ndërtesave
• Sisteme solare fotovoltaike për prodhimin e energjisë,
• Sisteme solare termike për ngrohjen e ujit,
• Bateri për ruajtjen e energjisë nga sistemet solare,
• Rregullatorë të fuqisë reaktive, që ulin konsumin dhe rrisin efiçiencën e pajisjeve ekzistuese.
“Kjo do të thotë më pak kosto për energji, më shumë konkurrueshmëri dhe siguri më të madhe për çdo biznes që prodhon në Kosovë”, shkroi Rizvanolli.
Ministrja njoftoi gjithashtu se këto masa, bashkë me të tjera që Qeveria po shqyrton, janë diskutuar në Forumin “Liberalizimi i Tregut të Energjisë Elektrike: Efektet dhe Masat Lehtësuese”, i cili është pjesë e Platformës për Dialogun Publiko-Privat. Në këtë forum morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me përfaqësues të odave dhe bizneseve vendore.
Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet një partner i afërt i sektorit privat, si në përballjen me sfidat, ashtu edhe në rritjen e kapaciteteve të tij.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se nga 1 qershorit bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset e Kosovës.
Bizneset, në bashkëpunim me odat përkatëse kanë kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.
Sipas tyre, ky vendim është i papërballueshëm dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të shumë ndërmarrjeve, ndërkaq nëse kërkesa për anulim nuk merret parasysh, ata kanë propozuar si zgjidhje subvencionimin e kostos shtesë për bizneset.