Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, për FrontOnline ka ngritur shqetësime serioze për pasojat ekonomike dhe politike që po i kanosen Kosovës si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit të ri.
“AKB e vlerëson mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës si dëm të madh në aspekt politik dhe ekonomik, ku do të jenë të pariparueshme dhe të pa kompensueshme,” ka deklaruar Shahini, duke theksuar se mungesa e institucioneve po ndikon në ngecjen e proceseve jetike për vendin.
Sipas tij, pa institucione funksionale nuk mund të ratifikohen një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, që janë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe administrativ të vendit. Një nga humbjet më të mëdha potenciale është ndërlidhur me Fondin për Rritje Ekonomike.
“Vetëm nga Fondi për Rritje Ekonomike, ku Kosova mund të i fitojë mbi 880 milion euro, kjo bëhet diskutabile dhe këto mjete mund të barten në një vend tjetër,” tha ai për FrontOnline.
Përveç kësaj, edhe fondet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që kapin vlerën e mbi 220 milionë eurove, janë në rrezik të mosrealizimit.
“Nëse i mbledhim të gjitha këto mjete, Kosova rrezikon të i humbë mbi 1 miliardë e 200 milion euro që do të mund të i merrte brenda këtij viti, për rritje ekonomike dhe për mbështetje të ndryshme,” përfundoi Shahini.