Arbënesha Kuqi, emërohet anëtare nderi nga Shoqata “Vatra”

09:51 | 21 Maj 2025
arbenesha-kuqi,-emerohet-anetare-nderi-nga-shoqata-“vatra”

Në një ceremoni të ngrohtë dhe emocionuese, Shoqata Kulturore Shqiptare “Vatra” në Ferrara nderoi një figurë të dalluar të komunitetit shqiptar Arbënesha Kuqi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjakovës, duke e shpallur anëtare nderi të kësaj organizate me rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare në Itali, raporton Front Online.

Në fjalën e saj falënderuese, e Kuqi shprehu mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim.
“Faleminderit nga zemra! Me përulësi dhe mirënjohje të thellë, dua të falënderoj Shoqatën ‘Vatra’ në Ferrara për nderimin e madh që më bëtë, duke më shpallur Anëtare Nderi e shoqatës suaj” ka thënë ajo.
Kuqi më tutje theksoi se ky vlerësim është jo vetëm një motivim personal, por edhe një thirrje për më shumë angazhim në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar, në çdo cep të botës ku jetojnë shqiptarët.

Përndryshe Shoqata “Vatra”, e njohur për kontributin e saj të vazhdueshëm në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe për bashkimin e komunitetit shqiptar në mërgatë, ka vite që luan rolin e një ure lidhëse mes brezave të ndryshëm të emigrantëve dhe atdheut. Kjo shoqatë është bërë sinonim i bashkimit, krenarisë kombëtare dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Emërimi si anëtare nderi vjen si njohje për punën, përkushtimin dhe frymëzimin që e nderuara ka dhënë në promovimin e vlerave shqiptare dhe në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit.

“Vatra” ka qenë dhe mbetet një dritë e fortë bashkimi për komunitetin tonë në mërgatë. Jam krenare që bëhem pjesë e kësaj familjeje të nderuar,” – shtoi ajo, duke mbyllur fjalën me emocione të dukshme. / Front Online /

Komento: