Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka reaguar ndaj situatës me çmimet në Kosovë, duke e quajtur keqpërdorim të hapur të rritjes së çmimit të energjisë dhe inflacionit nga ana e tregtarëve.
“Situata e inflacionit dhe rritja e çmimit të rrymës po keqpërdoren nga një pjesë e tregtarëve për të ngritur çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe të pajustifikueshme,” thekson Bellaqa.
Ai vëren se çmimet nuk po bazohen më në ekuilibrin mes ofertës dhe kërkesës, por po vendosen mbi treg, sipas marzhës tregtare, duke injoruar konkurrencën.
‘’Çmimet po i ngrisin ne bazë te forcës se ofertës dhe të kërkesës dhe duke ngritur çmimet sipas marzhës tregtare dhe jo çmime te konkurueshme dhe sipas tregut po mbi tregun’’, deklaroi Bellaqa.
Sipas tij, kjo qasje po rrezikon direkt shportën e konsumatorit dhe ekonominë familjare. Fuqia blerëse po dobësohet dukshëm dhe si pasojë po eliminohet shtresa e mesme, e cila po rrëshqet drejt varfërisë.
‘’Kështu rrezikohet shporta e konsumatorit dhe ekonomia familjare, dhe dobësohet fuqia blerëse ku si pasojë po eliminohet shtresa e mesme ekonomike sepse po varfërohet dhe po shndërrohet ne shtrese te varfun’’, tha Bellaqa.
Bellaqa thotë se në këtë situatë duhet të ndërhyjnë urgjentisht institucionet përgjegjëse të shtetit, përfshirë Inspektoratin e Tregut dhe Autoritetin e Konkurrencës.
‘’Por, ne ketë rast duhet te intervenojë institucionet përgjegjëse të shtetit, si Inspektorati tregut dhe Autoriteti Konkurrencës qe te mos përkeqësohet situata e tregut, dhe çmimet te kontrollohen dhe te ketë politika të qarta te çmimeve’’, përfundoi Bellaqa.