Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se nëse kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka votat për formimin e qeverisë atëherë duhet t’i ketë edhe për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Kurti dje në një intervistë në mediumin publik tha se ka 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë dhe kërkoi që të sfidohet për këtë duke e votuar kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit.
“Më testoni”, tha dje Kurti.
Zemaj tha se kjo kërkesë e Kurtit është lojë fjalësh e demagogji.
“Kjo është tepër e parëndësishme të thuhet. S’jemi këtu për t’u sfiduar, por për zgjidhje. Këto lojë fjalësh janë të dëmshme. Nëse ai i ka 61 pse nuk e zgjedh kryetaren? Demagogji për ta shpërlarë veten”, tha Zemaj.
Ai tha se qasjen që Vetëvendosje po e ndjek karshi ngjarjeve në Kuvend është “logjikë e partisë”.
“Imponim e diktat, ashtu siç funksionojnë brenda partisë së vet”.