Lidhur me stagnimin në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe zhvillimet tjera në Kosovë, në një intervistë ekskluzive për Rubikon në Klan Kosova flasin dy nga ambasadorët e shteteve mike të vendit, ai i Gjermanisë Jorn Rohde dhe i Francës, Olivier Guerot.
Të dy ambasadorët kërkuan krijimin sa më të shpejtë të institucioneve stabile, por theksuan se nuk është përgjegjësi e tyre për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendit. Megjithatë Rohde dhe Guerot, thanë se janë të gatshëm për të dhënë këshilla, raporton Klankosova.tv.
Ambasadori Rohde, duke iu përgjigjur pyetjes se a duhet të ndryshohet emri i Albulena Haxhiut si e propozuar për kryeparlamentare, pas disa dështimeve në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit, deklaroi se kur strategjia dështon, duhet të ndryshohet ajo.
Rohde më tej ka theksuar se është përgjegjësi e partive politike në vend që të gjejnë zgjidhjen për situatën aktuale në vend.
“Unë e përdor termin vendi i pari, partia politike e dyta. Javën e kaluar kur luaja futboll e përdora një analogji duke thënë, nëse strategjia nuk të çon tek synimi i dëshiruar, ju duhet ta përshtatni strategjinë. Dhe përshtatja e strategjisë po ashtu mund të përfshijë edhe zëvendësimin e një pjese të ekipit, por prapë është përgjegjësia e hisedarëve për t’u siguruar për rezultatin dhe kjo nuk është përgjegjësi e jona. Ne vetëm mund të bëjmë apel të kërkojmë si miq të bëhet dhe të japim këshilla të mira”, tha Rohde në intervistën në Rubikon të Klan Kosovës.