U mbajt Forumi për Investime të Qëndrueshme, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova përballet me sfidën e sigurimit të energjisë sot, ndërsa përgatitet për një të ardhme të pastër dhe të qëndrueshme.
Sipas tij, pavarësisht varësisë nga thëngjilli, Kosova është e përkushtuar ndaj dekarbonizimit dhe energjisë së ripërtëritshme, përfshirë rinovimin e termocentralit kryesor dhe liberalizimin e tregut të energjisë.
“E përgëzojmë Këshillin e Investitorëve Evropianë, ProCredit Bank dhe të gjithë partnerët e përfshirë për organizimin e këtij forumi në një kohë kur qëndrueshmëria është bërë më shumë se një përparësi, është një kusht për siguri afatgjatë, konkurrueshmëri dhe qëndrueshmëri ekonomike.
Sot, Kosova përballet me një sfidë të dyfishtë, të sigurojë furnizimin energjetik sot, duke u përgatitur për një të ardhme më të pastër dhe të qëndrueshme. Realiteti ynë aktual është i formësuar nga një varësi e vazhdueshme nga thëngjilli, por drejtimi ynë është i qartë dhe përkushtimi ynë është i fortë”, tha Kurti.
Ai tha se jemi të vendosur të ecim hap pas hapi me agjendën e dekarbonizimit të Evropës, jo përkundër kufizimeve, por për shkak të tyre.
“Për këtë arsye kemi filluar të rinovojmë termocentralin tonë kryesor me thëngjill, duke përmirësuar efikasitetin dhe ulur emetimet, ndërkohë që përgatitemi për një kalim më të gjerë drejt energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturës së mençur.
Si pjesë e obligimeve tona ligjore, rregullatorët e energjisë në Kosovë kanë liberalizuar tregun e energjisë elektrike këtë vit. Ky hap na afron me standardet evropiane të energjisë, por ka rezultuar me rritje të kostove të energjisë elektrike, veçanërisht për prodhuesit. Si qeveri, po reagojmë me mbështetje të synuar. Së bashku me Bashkëpunimin dhe Agjencinë për Zhvillim të Luksemburgut – Luxtem, jemi në përfundim të një skeme të re mbështetëse për të ndihmuar prodhuesit vendorë që të përshtaten…”.
Kryeministri në detyrë, Kurti, tha se mbi 90% e sektorit privat të Kosovës përbëhet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe këto ndërmarrje janë shtylla kurrizore e ekonomisë sonë, që nxisin inovacionin, krijojnë vende pune dhe forcojnë reziliencën e komunitetit.
“Por ato përballen me pengesa reale në tranzicionin e gjelbër – mungesë të qasjes në kapital, pasiguri në rregullore, mungesë të burimeve teknike. Kjo duhet të ndryshojë, dhe ky forum është një hap në atë drejtim.
Duam që NVM-të tona të mos e shohin qëndrueshmërinë si një barrë ligjore, por si një avantazh konkurrues. Me zhvillimin e tregjeve evropiane, bizneset kosovare duhet të jenë të gatshme të përmbushin standardet e reja dhe të shohin mundësi të reja – dhe ne do të jemi këtu për t’ju ndihmuar…Forumi i sotëm bashkon njohuri, financim dhe përvojë nga rajoni dhe më gjerë”, tha Kurti.
Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik dhe politik për tërheqjen e investimeve të huaja.
Ai u shpreh se kompanitë evropiane marrin parasysh faktorë si ndikimi mjedisor, lëvizshmëria e punëtorëve dhe shëndetësia.
“Kompanitë mund të ulin kostot, të rrisin konkurrueshmërinë dhe njëkohësisht të fitojnë qasje në tregje të reja dhe të tërheqin më shumë investime të huaja cilësore. Shumë kompani evropiane marrin parasysh ndikimin mjedisor, lëvizshmërinë e punëtorëve dhe qasjen në kujdes shëndetësor kur vendosin se ku do të investojnë.
Kostoja fillestare për teknologjitë e qëndrueshme mund të jetë e lartë dhe kthimi nga investimi nuk është i menjëhershëm. Është inkurajuese që autoritetet planifikojnë të ofrojnë stimuj për të ndihmuar bizneset të kalojnë drejt modeleve më të gjelbra të veprimit. Në nivel global, sektori i energjisë mbështetet ende tepër në lëndët djegëse fosile, duke e vështirësuar qëndrueshmërinë afatgjatë.
Orav theksoi gjithashtu nevojën për një parlament funksional dhe për progres në dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar heqjen sa më të shpejtë të taksave ndaj produkteve serbe.
“Dekarbonizimi është thelbësor që Kosova të përmbushë angazhimet e saj ndërkombëtare. Së pari nevojitet një Parlament funksional që të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme. Për Kosovën dhe Serbinë, do të ketë disa kushte shtesë, përfshirë përparimin që ato bëjnë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në këtë kontekst, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve zë një vend të rëndësishëm në planin e rritjes. Prandaj, e inkurajojmë Kosovën që të adresojë plotësisht çështjen e taksave ndaj produkteve serbe sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Orav.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, theksoi rreziqet në rritje nga ndryshimet klimatike dhe nevojën që institucionet financiare të përfshihen më shumë në menaxhimin e këtyre rreziqeve.
Ai paralajmëroi se përmbytjet, thatësirat dhe ndotja tashmë po ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin financiar dhe mirëqenien sociale, dhe se bankat duhet të mbështesin më fuqishëm tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër.
“Pasiguria dhe rreziqet jokonvencionale janë në rritje, përfshirë rreziqet klimatike dhe sfidat e kalimit drejt një ekonomie të qëndrueshme, në përputhje me parimet kyçe të ESG-së (mjedisore, sociale dhe të qeverisjes).
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi përgjegjësitë tona institucionale, si dhe për të forcuar bashkëpunimin drejt një tranzicioni të drejtë dhe të qëndrueshëm drejt një ekonomie të gjelbër.
Ndërsa debati për nivelin e përfshirjes së Bankës Qendrore vazhdon, po pranohet gjithnjë e më shumë se kjo nuk është thjesht çështje ndërgjegjësimi mjedisor. Ndryshimet klimatike janë bërë burim rreziqesh sistemike që kërcënojnë stabilitetin financiar, funksionimin e tregjeve dhe perspektivat afatgjata të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale.
Ismaili tha se ekspozimi ndaj rreziqeve fizike dhe atyre të tranzicionit ndikon drejtpërdrejt në performancën dhe cilësinë e aseteve që mbahen nga institucionet financiare, bizneset, amvisëritë dhe vetë funksionimin e tregjeve financiare.
“Këto rreziqe nuk janë vetëm hipotetike. Përmbytjet, thatësirat, ndotja e ajrit dhe sfidat e dekarbonizimit të sektorit të energjisë janë realitete që gjithnjë e më shumë ndikojnë jetën e qytetarëve dhe kapacitetin financiar dhe qëndrueshmërinë e bizneseve dhe individëve. Bankat dhe institucionet e tjera financiare do të duhet gjithnjë e më shumë të menaxhojnë këto rreziqe dhe të mbështesin financimin e tranzicionit të gjelbër”, tha ai.