Ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës në Prishtinë kanë përsëritur kërkesën e qartë nga Berlini dhe Parisi që Kosova të ndërmarrë hapin konkret të dërgimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese.
“E kemi bërë të qartë pozitën tonë; e duam Kosovën në Këshillin e Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur. Por kjo varet nga hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë, ashtu siç janë përshkruar në letrën e vitit të kaluar nga presidenti Macron, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni. Pra, topi është në fushën e Kosovës. Dërgojeni draftin në Gjykatën Kushtetuese,” deklaroi ambasadori gjerman Jorn Rohde për Klan Kosova, transmeton FrontOnline.
Kjo kërkesë, që u përmend fillimisht në letrën e përbashkët të liderëve evropianë vitin e kaluar, tashmë është shndërruar në një kusht politik për përparimin e mëtejshëm të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Qëndrimi i dy shteteve kyçe të BE-së vjen në një kohë kur në skenën politike të brendshme në Kosovë vazhdon të mungojë konsensusi për çështjen e Asociacionit dhe po ashtu ka krizë për formimin e institucioneve gjë e cila edhe më shumë e pamundëson dërgimin e një çështje të tillë në Kushtetuese, për shkak se vendi nuk ka qeveri aktive dhe nuk ka institucione të zgjedhura.
Deputeti i VV-së reagon pas deklaratave të ambasadorëve të Gjermanisë dhe Francës: Asociacioni një etnik është i pamundshëm
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur pas deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ambasadorit të Francës, Olivier Guerot, të cilët theksuan se qëndrimi i Berlinit dhe Parisit është i qartë dhe se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Në reagimin e tij, deputeti Thaçi theksoi se Asociacioni, ashtu siç është konceptuar, bie ndesh me karakterin multi-etnik të Republikës së Kosovës dhe përbën rrezik për funksionalitetin e shtetit.
“Asociacioni është marrëveshje që është nënshkruar nga ish-kryeministrat e asaj kohe, por pavarësisht kësaj edhe ambasadorët e dinë se me një Republikë multi-etnike nuk mund të bësh Asociacion një etnik, ose për ndryshe duhet me u pyet kushtetuta edhe me e shpallë Republikë një etnike,” u shpreh Thaçi për FrontOnline.
Ai shtoi se themelimi i një Asociacioni me bazë etnike është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit.
“Asociacioni është i pamundshëm, e defunksionalizon Republikën e Kosovës. Si LVV dhe unë personalisht si deputet do të angazhohem e do e jap maksimumin që asociacion një etnik mos të ketë në Kosovë,” tha më tej ai.
Beqa: Nuk mund të merremi me Asociacionin pa pasur “zot shtëpie” legjitim
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, për FrontOnline ka folur pas deklaratave të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe ambasadorit të Francës, Olivier Guerot, të cilët ritheksuan qëndrimin e qartë të Berlinit dhe Parisit se Kosova duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Beqa vlerësoi se situata aktuale politike në vend nuk i krijon kushtet për trajtimin e kësaj teme të ndjeshme dhe se më prioritar është krijimi i institucioneve legjitime.
“Konsideroj se temë është me pas një marrëveshje politike që me u kriju institucionet. Për teke të Kurtit jemi pezullu në çdo institucion dhe nuk ka kush të merret me këtë çështje dhe nuk kemi as konstituim të Kuvendit,” deklaroi Beqa për FrontOnline.
Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale e bën të pamundur adresimin e çështjes së Asociacionit dhe çfarëdo hapi tjetër që kërkon përfaqësim politik e institucional.
“Së pari duhet me u konsistu Kuvendi, me u bërë Qeveria. Nuk mund të merremi me këtë temë derisa nuk ka zot shtëpie legjitim,” theksoi ai.
Sadiku: Asociacioni mund të dërgohet në Kushtetuese pas zgjedhjeve lokale, nëse krijohet një koalicion i ri
Analisti politik Arbnor Sadiku për FrontOnline ka komentuar kërkesën e ambasadorëve gjerman dhe francez në Prishtinë që Kosova ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, duke e lidhur këtë çështje me dinamikën e brendshme politike në vend.
Sipas Sadikut, ky hap mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve lokale, nëse krijohet një koalicion i ri qeverisës.
“Kjo mundet me ndodhë pas zgjedhjeve lokale nëse ndodhë një koalicion’’ tha ai për FrontOnline.
Ai theksoi se aktualisht, kjo çështje është një nga pengesat kryesore për formimin e Qeverisë së re.
‘’E kundërta është problem pasi që po shihet se edhe kjo është njëra nga arsyet pse nuk po bëhet qeveria, sepse po e dijnë se si ta bëjnë Qeverinë do ta marrin asociacionin për sipër,” deklaroi Sadiku.
Shasha për Asociacionin: Kosova mundet me i mbyllë sytë dhe veshët, por kjo punë ka vonim, por jo shpëtim
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha,për FrontOnline ka folur pas kërkesave të përsëritura nga ambasadorët gjerman dhe francez që Kosova ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Shasha tha se këto kërkesa nuk përbëjnë risi dhe pasqyrojnë qëndrimet e pandryshuara të partnerëve perëndimorë.
“Nuk ka asgjë të re. Kërkesat e vjetra po përseritën,” tha Shasha, duke nënvizuar se autoritetet kosovare nuk mund t’i shmangen pafundësisht këtij realiteti politik.
Ai shtoi se Kosova është po në gjendjen e njëjtë.
“Kosova mundet me i mbyllë sytë dhe veshët para asaj që është e paevitueshme, pra jemi në statusko, në një gjendje ku kemi qenë edhe më parë.” u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas Shashës, aleatët ndërkombëtarë mbajnë të njëjtat pozicione dhe procesi, megjithëse i ngadalësuar, është i pashmangshëm.
“Qëndrimet e aleatëve nuk kanë ndryshuar, dhe kjo punë ka vonim por nuk ka shpëtim.” deklaroi ai.