Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë manifestimit të sotëm të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste.
Sveçla tha se disa nga pjesëmarrësit në këtë manifestim kanë bërë edhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës, në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës.
“Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cenohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit.Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjashme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë”, tha ai.