Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku që në fillim dha mesazhe të qarta dhe të drejtpërdrejta për lidershipin politik të vendit.
Gjatë një konference të shkurtër për media, ajo bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke e cilësuar këtë si një hap thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi Kallas.
Ajo foli edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke bërë të ditur se procesi i largimit të tyre ka filluar në mënyrë graduale, por paralajmëroi se një përshkallëzim i situatës në veri të vendit do të rrezikonte këtë proces.
Pas konferencës, Kallas vazhdoi me takimet individuale me liderët e opozitës, duke filluar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku e më pas kishte një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ku në paraditën e së premtes ajo ka shkuar në Veri të Kosovës për një vizitë e cila nuk ishte e paralajmëruar.
Pas Kosovës, Kallas ka udhëtuar për në Shkup.
Avni Arifi: Kallas kësaj here nuk ishte protokolare, por me mesazhe të qarta
Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një vizitë me peshë të qartë politike dhe jo thjesht protokolare.
“Vizita e Kallas kësaj here nuk ishte protokolare, por me mesazhe të qarta. Kosova duhet të veprojë sipas BE-së, konform marrëveshjeve që i ka pranuar,” u shpreh Arifi, duke theksuar domosdoshmërinë e përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare nga ana e Prishtinës.
Arifi e vlerësoi si zhvillim pozitiv lajmin për fillimin e heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, por paralajmëroi se ky proces do të jetë i kushtëzuar me hapa konkretë nga ana e institucioneve vendore.
“Lajmi për fillimin e heqjes së masave është lajm i mirë, por një dihet se heqja e masave do të shkojë paralelisht me veprimet e Kosovës,” theksoi ai për FrontOnline.
Megjithatë, Arifi shprehu zhgënjimin e tij me qasjen e BE-së karshi Kosovës, duke e konsideruar padrejtësi mënyrën se si trajtohet progresi i vendit në krahasim me atë të Serbisë.
“Është e dhimbshme me pa që për progresin tonë na hiqen masat, në vend se për progresin tonë të jepeshin beneficione shtesë nga BE. Serbia, në anën tjetër, për çdo progres shpërblehet,” u shpreh Arifi.
Ai kritikoi qasjen diplomatike të Kosovës gjatë pesë viteve të fundit, duke e cilësuar atë si një periudhë të dështuar në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtar.
“Diplomacia e Kosovës në pesë vitet e fundit me të vërtetë ishte një katrahurë,” përfundoi ai.
Dedaj: Vizita e Kallas në Kosovë ndodhi në mungesë të shtetit funksional – Regjimi Kurti po e izolon Kosovën, BE-ja po e faktorizon Serbinë
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila qëndroi në Kosovë për të takuar liderët e partive politike parlamentare. Sipas Dedajt, kjo vizitë ndodhi në një moment të rëndë institucional për vendin, duke e krahasuar situatën aktuale me vitet e ’90-ta.
“Vizita e zonjës Kaja Kallas ishte një vizitë me rëndësi e një personaliteti të lartë të BE në Kosovën pa institucione, pa kuvend dhe pa qeveri. Pra, kjo na ktheu në vitet e 90-ta kur nuk kishim shtet, por ishim partitë politike të asaj kohe që flisnim me zyrtarët ndërkombëtar për lirinë e Kosovës,” deklaroi Dedaj.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për defaktorizim dhe degradim të shtetit, duke e quajtur Kurtin “uzurpator të lirisë dhe demokracisë”.
“Një situatë e tillë është degradim dhe defaktorizim i shtetit të Kosovës nga uzurpatori i lirisë dhe i demokracisë Albin Kurti dhe LVV,” shtoi ai.
Dedaj gjithashtu vuri në dukje se përshkallëzimet në veri të Kosovës janë produkt i bashkëpunimit të fshehtë mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Përshkallëzimet në veri të Kosovës i shkakton dhe orkestron Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti, të cilët e ruajnë pushtetin e tyre me inskenime, situata dramatike dhe kërcënime të ngjashme, duke e keqpërdorur politikisht këtë pjesë të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas tij, edhe pse BE dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë vazhdimisht qetësim të situatës, kjo nuk u përshtatet regjimeve në Prishtinë dhe Beograd.
“Kaja Kallas dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë de-përshkallëzim dhe stabilitet në veri, por kjo nuk i konvenon regjimeve populiste në Prishtinë dhe Beograd,” tha Dedaj.
Ai e akuzoi personalisht Kurtin se po bllokon formimin e institucioneve, duke tentuar ta shndërrojë shtetin në një “monarki dhe diktaturë”.
“Formimin e institucioneve shtetërore të Kosovës është duke i bllokuar vetë deputeti Albin Kurti, i cili e ka uzurpuar dhe privatizuar shtetin e Kosovës, duke tentuar ta shndërrojë në monizëm, monarki dhe diktaturë,” u shpreh Dedaj.
Lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Dedaj tha se ato kanë sjellë vetëm pasoja negative dhe degradim në çdo fushë të jetës.
“Masat dhe sanksionet ndaj Kosovës e kanë dhënë, po e japin dhe do ta japin efektin e tyre negativ, degradues dhe dëmtues të Kosovës… ndërsa e kanë faktorizuar Serbinë para botës,” paralajmëroi ai për FrontOnline.
Dedaj e konsideroi rrëzimin e Qeverisë Kurti si të vetmen rrugë drejt rikthimit të demokracisë dhe integrimeve euroatlantike.
“Rrëzimi i regjimit të Albin Kurtit është një fitore e demokracisë, rilindje e Kosovës dhe rivendosje e saj në normalitet dhe në agjendën e SHBA, BE dhe NATO-s,” përfundoi Dedaj.
Arifi: Kallas solli porosi të qarta për mos-përshkallëzim dhe formim urgjent të institucioneve
Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, për FrontOnline ka vlerësuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Prishtinë, si një vizitë me mesazhe serioze dhe të drejtpërdrejta për gjendjen politike dhe institucionale në Kosovë.
Sipas Arifit, porosia më e rëndësishme që solli Kallas ishte shmangia e përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, pasi çdo tension i ri do të përkeqësonte një realitet tashmë të brishtë institucional në Kosovë.
“Porosia e parë dhe serioze ishte që të mos përshkallëzohet situata në Veri të vendit, sepse në rast të përshkallëzimit më të thellë, Kosova nuk ka as Qeveri dhe as Kuvend, dhe mund të kishte kaos të panevojshëm,” theksoi Arifi.
Ai theksoi se vizita e Kallas lidhej drejtpërdrejt me nxitjen e formimit të institucioneve shtetërore, duke e konsideruar vonesën në këtë drejtim si të rrezikshme për sigurinë e vendit.
“Vizita e Kallas lidhet me përshpejtimin e institucioneve sepse jemi jashtëzakonisht shumë vonë në këtë drejtim dhe çdo vonim po e dëmton dhe cënon sigurinë e vendit,” tha Arifi për FrontOnline.
Në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Arifi tha se ndonëse Kallas foli për një heqje graduale të tyre, kjo do të varet nga përkushtimi i Kosovës për të përmbushur detyrat e saj.
“Heqja e sanksioneve, edhe pse e tha Kallas në formë graduale, por besoj se mund të ndodhë nga dinamika jonë – kjo varet nga ne dhe detyrat se si i bëjmë,” përfundoi ai.