Dedaj: Vizita e Kallas në Kosovë ndodhi në mungesë të shtetit funksional – Regjimi Kurti po e izolon Kosovën, BE-ja po e faktorizon Serbinë

08:47 | 24 Maj 2025
dedaj:-vizita-e-kallas-ne-kosove-ndodhi-ne-mungese-te-shtetit-funksional-–-regjimi-kurti-po-e-izolon-kosoven,-be-ja-po-e-faktorizon-serbine


Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila qëndroi në Kosovë për të takuar liderët e partive politike parlamentare. Sipas Dedajt, kjo vizitë ndodhi në një moment të rëndë institucional për vendin, duke e krahasuar situatën aktuale me vitet e ’90-ta.

Vizita e zonjës Kaja Kallas ishte një vizitë me rëndësi e një personaliteti të lartë të BE në Kosovën pa institucione, pa kuvend dhe pa qeveri. Pra, kjo na ktheu në vitet e 90-ta kur nuk kishim shtet, por ishim partitë politike të asaj kohe që flisnim me zyrtarët ndërkombëtar për lirinë e Kosovës,” deklaroi Dedaj.

Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për defaktorizim dhe degradim të shtetit, duke e quajtur Kurtin “uzurpator të lirisë dhe demokracisë”.

Një situatë e tillë është degradim dhe defaktorizim i shtetit të Kosovës nga uzurpatori i lirisë dhe i demokracisë Albin Kurti dhe LVV,” shtoi ai.

Dedaj gjithashtu vuri në dukje se përshkallëzimet në veri të Kosovës janë produkt i bashkëpunimit të fshehtë mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Përshkallëzimet në veri të Kosovës i shkakton dhe orkestron Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti, të cilët e ruajnë pushtetin e tyre me inskenime, situata dramatike dhe kërcënime të ngjashme, duke e keqpërdorur politikisht këtë pjesë të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai për FrontOnline.

Sipas tij, edhe pse BE dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë vazhdimisht qetësim të situatës, kjo nuk u përshtatet regjimeve në Prishtinë dhe Beograd.

Kaja Kallas dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë de-përshkallëzim dhe stabilitet në veri, por kjo nuk i konvenon regjimeve populiste në Prishtinë dhe Beograd,” tha Dedaj.

Ai e akuzoi personalisht Kurtin se po bllokon formimin e institucioneve, duke tentuar ta shndërrojë shtetin në një “monarki dhe diktaturë”.

Formimin e institucioneve shtetërore të Kosovës është duke i bllokuar vetë deputeti Albin Kurti, i cili e ka uzurpuar dhe privatizuar shtetin e Kosovës, duke tentuar ta shndërrojë në monizëm, monarki dhe diktaturë,” u shpreh Dedaj.

Lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Dedaj tha se ato kanë sjellë vetëm pasoja negative dhe degradim në çdo fushë të jetës.

Masat dhe sanksionet ndaj Kosovës e kanë dhënë, po e japin dhe do ta japin efektin e tyre negativ, degradues dhe dëmtues të Kosovës… ndërsa e kanë faktorizuar Serbinë para botës,” paralajmëroi ai për FrontOnline.

Dedaj e konsideroi rrëzimin e Qeverisë Kurti si të vetmen rrugë drejt rikthimit të demokracisë dhe integrimeve euroatlantike.

Rrëzimi i regjimit të Albin Kurtit është një fitore e demokracisë, rilindje e Kosovës dhe rivendosje e saj në normalitet dhe në agjendën e SHBA, BE dhe NATO-s,” përfundoi Dedaj.

Komento: