Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e dyfishtë të institucionit shkollor Kosovo Leadership Academy, për 10- vjetorin e themelimit dhe ceremoninë e diplomimit të nxënësve.
Kosovo Leadership Academy në Mitrovicë u cilësua nga kryeministri Kurti si një shembull i ekselencës dhe parim qenësor i filozofisë së mësimdhënies, që nxjerr në pah kureshtjen, hulumtimin dhe përparimin.
“Me ambiente kaq të këndshme të cilat nxisin mësim dhe zhvillim, kureshtje dhe hulumtim, jeni vërtet shembull i ekselencës si parim qenësor i filozofisë së mësimdhënies këtu. Natyrisht, kur motoja e shkollës është ‘Mëso, jeto dhe prij shkëlqyeshëm’, progresi dhe suksesi nuk mungojnë. Kjo është në linjë të plotë edhe me vlerat dhe parimet që kemi si shtet, si shoqëri e ne si Qeveri, ato që vazhdojnë të na prijnë çdo ditë dhe në çdo mandat, si fanar ndriçues në detin e hapur të mundësive përpara”, tha ai.