Pavarësisht se ndodhet në mandat teknik, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti ka vazhduar të marrë vendime me peshë të konsiderueshme politike dhe institucionale.
Gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars, kjo qeveri ka miratuar gjithsej 76 vendime, prej të cilave të paktën 13 po konsiderohen si tejkalim i kompetencave të një qeverie në largim.
Këto vendime përfshijnë emërime në pozita publike, miratim të dokumenteve strategjike dhe ndërhyrje në fusha që ligjërisht nuk i lejohen një qeverie që nuk ka mandat të plotë.
Juristë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë politikë kanë ngritur shqetësime serioze se këto veprime përbëjnë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, përfshirë edhe Ligjin për Qeverinë, i cili rregullon qartë kufizimet e një ekzekutivi në detyrë.
Për më tepër, këto vendime po ndodhin në një kohë të ndjeshme politike, kur vendi ndodhet në një vakuum institucional për shkak të mungesës së Qeverisë së re dhe të pezullimit të shumë proceseve të rëndësishme shtetërore, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit.
Miftaraj: Vendimet e Qeverisë në detyrë janë anti-ligjore, por mbesin në fuqi
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, për FrontOnline ka komentuar vendimet e Qeverisë së Kosovës në detyrë, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar se ato, ndonëse të mund të jenë në kundërshtim me ligjin, mbesin në fuqi nëse palët përfituese nuk kanë faj për përfitimin e të drejtave.
“Kjo tregon mjaftueshëm seriozitetin e VV-së për të zbatuar ligjin,” u shpreh Miftaraj.
Ai sqaroi se, sipas parimeve juridike, vendimet që sjellin përfitime për palët nuk anulohen, edhe kur Qeveria është në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
“Nuk janë fajtorë palët pse përfitojnë të drejta për shkak të vendimeve që merr Qeveria, edhe pse ato janë në kundërshtim me ligjin,” tha ai për FrontOnline.
Megjithatë, Miftaraj theksoi se në rastet kur ekzistojnë dyshime për vepra penale lidhur me këto vendime, mund të iniciohen procedura penale ndaj personave përgjegjës.
‘’ Pra në ato raste ku ka dyshime që ka vepra penale, mund të ndiqën penalisht, por në parim të gjitha mbesin në fuqi’’ tha ai.
Avokati Bajraktari: Vendimet e Qeverisë në detyrë janë në shpërputhje me Kushtetutën, krijojnë pasiguri juridike
Avokati Ardian Bajraktari për FrontOnline ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars, kjo qeveri ka marrë gjithsej 76 vendime, ndërkohë që 13 prej tyre konsiderohen tejkalim i kompetencave të një qeverie në largim, përfshirë emërime në pozita publike dhe miratime të dokumenteve strategjike.
Avokati Bajraktari theksoi se vendimmarrja në këtë fazë është jo vetëm e papërgjegjshme politikisht, por edhe në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Ai veçoi rastin e mbajtjes së funksioneve të dyfishta nga anëtarët e Qeverisë që njëkohësisht janë zgjedhur deputetë.
“Është e qartë se derisa një person nuk mund të jetë edhe deputet i zgjedhur dhe të ushtrojë funksione të tjera si anëtar i Qeverisë. Ushtrimi i funksionit edhe si deputet pas betimit edhe si anëtarë i Qeverisë është në shpërputhje ligjore” tha Bajraktari.
Ai shtoi se në një situatë të tillë, përgjegjësia bie mbi vetë zyrtarët e zgjedhur.
“Ishte dashur që deputetët e zgjedhur të japin dorëheqje nga detyrat dhe ato të delegohen te zëvendësit e tyre,” theksoi Bajraktari, duke e cilësuar këtë sjellje institucionale si një “shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”.
Më tej, avokati paralajmëroi për pasoja juridike që mund të vijnë si rezultat i këtyre vendimeve.
“Qasja e tillë është shkelje e Kushtetutës së ligjit, është edhe e rrezikshme sepse krijon pasiguri të madhe juridike për këto vendime që janë marrë gjatë kësaj periudhe,” deklaroi ai.
Kadri Kryeziu: Vendimet e Qeverisë në detyrë nuk janë çështje kushtetuese, por ligjore
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka deklaruar se veprimet dhe vendimet e Qeverisë në detyrë janë të rregulluara me ligj dhe nuk përbëjnë çështje kushtetuese, përveç rasteve kur preken të drejtat themelore të njeriut.
“Veprimet e Qeverisë janë të rregulluara me ligj. Vendimet e saj duhet verifikuar, nëse janë anti-ligjore, por s’kanë të bëjnë me Kushtetutën,” ka theksuar Kryeziu.
Ai shtoi se Kushtetuta nuk trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë funksionimin e Qeverisë në detyrë apo në dorëheqje, pasi për këtë çështje parashikimet ligjore ndodhen jashtë kornizës kushtetuese.
‘’ Vendimet e saj duhet verifikuar, nëse janë anti-ligjore, por s’kanë të bëjnë me Kushtetutë’’ shtoi ai për FrontOnline.
Sipas tij, vetëm në rast se ndonjë vendim bie ndesh me të drejtat e njeriut, atëherë do të ishte lëndë kushtetuese, ndërsa për rastet që mund të përbëjnë vepra penale, ato trajtohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
‘’ Kushtetuta i shikon nëse shkelën të drejtat e njeriut, ndërsa nëse ka vepra penale, këto rregullohen me Kodin Penal’’ tha ai.
Ish-kreu i Apelit: Vendimet e Qeverisë “Kurti” janë të kundërligjshme, mund të anulohen
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, për FrontOnline ka deklaruar se të gjitha vendimet e marra nga Qeveria pas dorëheqjes së kryeministrit janë të kundërligjshme.
Sipas Shalës, këto vendime mund të kontestohen nga palët që kanë interes juridik, dhe mund të anulohen përmes procedurave gjyqësore.
“Të gjitha ato vendime janë të kundërligjshme. Duhet t’i atakojnë ata që kanë interes juridik dhe ato anulohen”, shprehet Shala.
Avokati Jashari: Vendimet e qeverisë në detyrë janë valide, por mund të anulohen nga gjykata
Avokati Arbër Jashari për FrontOnline ka komentuar vlefshmërinë e vendimeve të marra nga qeveria në detyrë, duke theksuar se ato janë të vlefshme në parim, por mund të kontestohen në rrugë ligjore nga personat që kanë interes juridik.
“Në parim ato janë valide. Por ato mund të atakohen në rrugë gjyqësore, nga personat të cilët e dëshmojnë që kanë interes juridik,” deklaroi Jashari për FrontOnline.
Ai sqaroi më tej se në procedurë administrative, gjykata mund t’i anulojë këto vendime dhe nëse ndonjëri prej tyre anulohet, efekti është prapaveprues.
“Në procedurë administrative, gjykata mund t’i anuloj. Në rast se anulohet ndonjëri prej këtyre vendimeve, anulimi ka efekt prapveprues, që do të thotë ai konsiderohet sikur të mos ishte nxjerrë fare,” shtoi Jashari.