Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin foli për zhvillimet e fundit politike në vend dhe krizën institucionale në të cilën ndodhet Kosova.
Abdixhiku e informoi Westerlundin për qëndrimet e LDK-së në lidhje me situatën dhe propozimin e tyre për krijimin e një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje, sipas tij, e përkohshme dhe e përgjegjshme për ta tejkaluar krizën aktuale politike dhe për t’iu ofruar qytetarëve zgjidhje të menjëhershme të problemeve të përditshme.
“Kryetari Abdixhiku e theksoi se bllokada e krijuar institucionale është e papranueshme, po dëmton rëndë jetesën e qytetarëve si dhe po pengon funksionimin normal të shtetit. Ai vlerësoi se kjo gjendje e tejzgjatur, në mbledhje të Kuvendit për të 15-tën herë duke pritur rezultatin e njëjtë, e vështirëson jetën e përditshme të qytetarëve dhe minon besimin në institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Kryetari Abdixhiku ritheksoi se alternativa e propozuar nga LDK është rrugëdalja më e mirë nga kriza institucionale, dhe se Kosova ka nevojë sa më shpejtë për institucione funksionale dhe për një orientim të qartë drejt normalitetit demokratik”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi u fol edhe për thellimin e bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Suedisë, ku Abdixhiku e falënderoi ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës gjatë proceseve të saj.