Abdixhiku: Tirana epiqendër rajonale ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit- Kosova nën sanksione, pa institucione

11:49 | 16 Maj 2025
abdixhiku:-tirana-epiqender-rajonale-ku-po-gdhendet-e-ardhmja-e-vet-kontinentit-kosova-nen-sanksione,-pa-institucione

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, teksa Tirana pret sot liderët e 47 vendeve të Evropës në një samit historik të Procesit të Berlinit.

Abdixhiku e ka përshkruar Tiranën si epiqendër të re rajonale, ndërsa ka vënë në kontrast zhvillimet pozitive në Shqipëri me gjendjen që po përjeton Kosova, të cilën e cilëson si të mbetur në vendnumëro, pa institucione funksionale dhe pa ndjenjën e urgjencës për kohën.

“Evropa sot po zbarkon në Tiranë. E gjitha. Me plot 47 liderët e saj. Në Tiranën që tashmë, si epiqendër e re rajonale, është bërë shtëpi nga ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit”, shkruan Abdixhiku.

Ndërsa Shqipëria po përjeton një moment krenarie në skenën evropiane, Abdixhiku shpreh shqetësimin e thellë për situatën në Kosovë, duke theksuar se vendi vazhdon të mbetet nën masa e sanksione dhe i paralizuar institucionalisht.

“Kosova, ndërsa, vazhdon të mbetet nën masa e sanksione. Vazhdon të mbetet dhe pa institucione. Mbi të gjitha, vazhdon të mbetet pa ndjenjën e urgjencës për kohën”, thekson ai.

Sipas tij, zhvillimi, mirëqenia dhe progresi shoqëror janë të paarritshme për një klasë politike që, siç thotë ai, është e përqendruar vetëm në shijimin e pushtetit.

Abdixhiku bën thirrje për një rizgjim kombëtar, duke deklaruar se ky rizgjim nuk mund të vijë nga ata që nuk e njohin nevojën, por nga vetë populli i Kosovës.

“Sot, ky rizgjim Kosovë, kërkon urgjencë. Kjo urgjencë nuk vjen nga ata që nuk e njohin nevojën. Vjen nga populli i Kosovës që rizgjohet”, përfundon Abdixhiku, duke uruar Shqipërinë me fjalët: “Shqipërisë, vetëm përgëzime.”

Komento: