Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit: Pjesëmarrja e rektorit Hajrullahu në vendimmarrje ndaj profesorit Hasani, përbën konflikt interesi

14:53 | 07 Maj 2025
agjencia-per-parandalimin-e-korrupsionit:-pjesemarrja-e-rektorit-hajrullahu-ne-vendimmarrje-ndaj-profesorit-hasani,-perben-konflikt-interesi

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka evidentuar konflikt interesi nga ana e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.

Profesori i Fakultetit Juridik, Enver Hasani kishte kërkuar opinion nga APK lidhur me sjelljen dhe veprimet karshi tij të rektorit në mbledhjet e Senatit.

 

 

Në përgjigje të kërkesës së parashtruar, APK thotë se ka pasur konflikt interesi nga ana e Hajrullahut, lidhur me pjesmarrjen e tij në vendimmarrje në kryesimin e Senatit të Universitetit për çështjet që kanë të bëjnë me Hasanin.

Hasani është ankuar, përveç tjerash, se rektori i Hajrullahu është ngritur në gradën e profesorit të rregullt duke votuar për veten dhe se

 

 

Hajrullahu, i cili është ngritur në gradën e profesorit të rregullt duke votuar për veten, ka synuar t’ia heq atë gradë profesorit Hasanit, i cili ka përmendur synime të rektorit për ta përndjekur atë për interesa personale.

“Pjesëmarrja e z. Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës, në vendimmarrje, përfshirë çastet paraprake të vendimmarrjes, në cilësi të kryesuesit të Senatit të këtij Universiteti apo cilësi tjetër zyrtare vendimmarrëse brenda universitetit, ndaj z. Enver Hasani, Profesor i Universitetit të Prishtinës, do të binte ndesh me nenit 6, lidhur me nenin 3, paragrafi 1.2 dhe 1.12, nenin 5, paragrafi 8, si dhe nenin 17 dhe 19, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, të Ligjit për parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në opinionin e APK-së, i cili i është dërguar edhe sekretariatit të UP-së.

APK ka kërkuar nga Hajrullahu që “të njoftohet lidhur me veprimet e ndërmarrura konform këtij opinioni”.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë se nocioni i konfliktit të interesit, sipas ligjit, përcaktohet edhe kështu: “Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund te ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”.

 

 

“Në rastin konkret, në kuptim dhe zbatim të dispozitave si më lartë, e në kontekst të gjendjes faktike të konstatuar më sipër, Agjencia konstatoi si në si në pikën I të dispozitivit të këtij opinioni se, pjesëmarrja e z. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës, në çfarëdo vendimmarrje, përfshirë çastet paraprake të vendimmarrjes, në cilësi të kryesuesit të Senatit të këtij universiteti apo cilësi tjetër zyrtare vendimmarrëse brenda universitetit, ndaj z. Enver Hasani, profesor i Universitetit të Prishtinës, do të binte ndesh me dispozitat e sipërcituara të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në opinionin e APK-së.

Si arsye, APK përmend deklaratat dhe shprehjet e përdorura nga Hajrullahu ndaj Hasanit në një mbledhje të Senatit të UP-së dhe që kanë rezultuar me një kërkesë ndaj tij për përmirësimin e tyre dhe me një kallëzim penal ndaj tij,

 

 

“Të gjitha këto zhvillime dhe rrethana të reja të sipërpërmendura, ndikojnë pashmangshëm në krijimin e një raport të ri subjektiv mes palëve, duke qenë se palët në fjalë në çështjet e tilla, veçanërisht në dy proceset (denoncimet) e sipërpërmendura (pa paragjykuar arsyeshmërinë, bazueshmërinë dhe epilogun e atyre proceseve), kanë dhe mbrojnë interesa personale-private të kundërta mes vete, dhe se ato interesa private ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket se ndikojnë në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës zyrtare, duke përmbushur në këtë mënyrë elementet thelbësore të konfliktit të interesit, e që sipas nenit 5 [Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit], paragrafin 8 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ‘Zyrtari duhet të shmang konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje’”, thuhet në opinionin e APK-së.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, duke qenë se thotë se në këtë rast “interesi privat i z. Arben Hajrullahut nuk mund të përjashtohet në vendimmarrjen/et e tij zyrtare ndaj z. Enver Hasani”, rektori duhet “të tërhiqet nga pjesëmarrja e tij në vendimmarrje, përfshirë çastet paraprake të vendimmarrjes, në cilësi të kryesuesit të Senatit të këtij Universiteti apo cilësi tjetër zyrtare vendimmarrëse brenda universitetit, ndaj z. Enver Hasani, profesor i UP-së, konform nenit 17, paragrafit 1, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

 

 

APK thotë se lidhur me veprimet dhe masat e ndërmarra nga Hajrullahu për “parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit konform kërkesave të këtij opionioni”, duhet të njoftohet Agjencia.

 

Komento: