Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve z. Agim Shahini, priti sot në zyrat e AKB-së kryetarin e Sindikatës së sektorit privat, z. Isuf Azemi, ku u zhvillua një takim i frytshëm për të diskutuar gjendjen e punëtorëve në përgjithësi, e në veçanti në sektorin privat, si dhe ndikimin e krizës institucionale në ekonominë e vendit.
Të dy palët u pajtuan se, ndonëse gjendja e punëtorëve në sektorin privat ka shënuar përmirësime të dukshme, sfidat mbesin të shumta. Një ndër çështjet më shqetësuese mbetet rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe liberalizimi i tregut energjetik, i cili pritet të godasë rëndë kompanitë me mbi 50 të punësuar dhe qarkullim mbi 10 milionë euro.
Përfaqësuesit e AKB-së dhe të Sindikatës u shprehën se kriteret e reja të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) janë të papranueshme dhe mund të ndikojnë negativisht në punësimin e ri të puntorëve dhe stabilitetin ekonomik të ndërmarrjeve.
Në përfundim të takimit, AKB dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat u dakorduan të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës, zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së interesave të punëtorëve në Kosovë.