Kosova ka hyrë në vitin 2025 me një valë ngjarjesh të rënda , të cilat kanë tronditur shoqërinë dhe kanë rritur pasigurinë mes qytetarëve. Vrasje, vetëvrasje dhe akte dhune kanë shënuar periudhën e pesë mujorit të këtij viti.
Vetëm gjatë muajit mars, tre vrasje të ndara në kohë dhe vend kanë ngritur alarm për sigurinë publike.
Marsi nuk ishte fundi. Mëngjesin e së martës , një ngjarje e rëndë tronditi Prizrenin: një shtetas turk, Mehmet Görenç, dyshohet se vrau vajzën e tij në banesën e tyre, lëndoi vajzën tjetër dhe gruan dhe më pas tentoi të vetëvritej. I plagosur rëndë, ai ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë, ndërsa rrethanat e krimit mbeten nën hetim. Këto ngjarje kanë ngritur shqetësime për sigurinë në vend.
Eksperti i Sigurisë: Institucionet e rendit po e inkurajojnë kri*min
Pas valës së ngjarjeve tragjike që kanë tronditur vendin që nga fillimi i vitit, eksperti i sigurisë Bedri Elezi u deklarua për FrontOnline për gjendjen aktuale të sigurisë publike në Kosovë. Ai thotë se 2025-ta po rezulton të jetë një nga vitet më të rëndë në aspektin e kriminalitetit.
“Mund të themi se në vitin 2025 kemi pasur disa deklarime rreth situatës së sigurisë publike, por realisht ajo është më e cenueshme se kurrë më parë, bazuar në statistikat deri më tani, ky vit duket se do të jetë ndër më të rëndët në aspektin e çështjeve të sigurisë’’, tha Elezi.
Sipas tij, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje është mos reagimi i autoriteteve përkatëse të ligjit. Ai fajëson Policinë për zbatim të dobët të urdhrave të Gjykatave, Prokurorinë për mungesë veprimi, dhe Gjykatat për dënime të buta që nuk japin efekt parandalues.
“Gjykatat nuk kanë ndarë dënime të merituara dhe për ironi janë kthyer në një lloj ‘inkurajuesi’ për krimin në Kosovë,” – tha Elezi.
Eksperti thekson se mungesa e performancës së institucioneve të rendit po përkthehet në një mungesë të thellë të sigurisë publike.
“Çdo qytetar që sheh se dorasit nuk ndëshkohen siç duhet, e përjeton këtë si një formë tolerimi. Kjo krijon kushte që individë apo grupe kriminale të ndihen të lirë të veprojnë,” – përfundon Elezi.
Drizan Shala: Policia e Kosovës ka neglizhuar sigurinë publike
Pas një serie ngjarjesh tragjike që kanë tronditur vendin këtë vit, Drizan Shala, ekspert i sigurisë, është deklaruar rreth sigurisë publike ku ka thënë se ka një neglizhencë të Policisë së Kosovës në menaxhimin e sigurisë publike.
“Sa i përket aktiviteteve që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë publike, mund të themi se Policia e Kosovës ka neglizhuar segmente të tilla që e atakojnë këtë siguri,” tha Shala.
Ai shton se është e domosdoshme që Policia, por edhe institucionet tjera të sigurisë, të ndërmarrin hapa për të krijuar një strukturë të brendshme më të fortë dhe më efikase, që do të mund të parandalojë aktivitete të rrezikshme për sigurinë publike.
“Po ashtu, nuk mjafton vetëm të identifikohen problemet. Duhet të kërkohet llogari për mosveprimin nga mekanizmat përkatës’’ deklaroi Shala.
Adem Shala: Vrasj*et po nxiten nga kriza socio-ekonomike dhe faktorët psikologjik
Pas rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur në muajt e fundit në Kosovë, sociologu dhe psikologu Adem Shala ka theksuar se pas këtyre akteve qëndrojnë faktorë të ndërlikuar socio-ekonomikë dhe psikologjikë.
“Zakonisht shkak i vrasjeve është aspekti socio-ekonomik, më pas faktorët psikologjik ndikojnë në numrin e vrasjeve. Sigurisht që këto arsye janë një ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të vrasjeve,” tha Shala.
Sa i përket rolit të institucioneve të rendit, Shala tha: “Institucionet e rendit veprojnë në bazë të kompetencave që kanë, por në përgjithësi në uljen e kriminalitetit ndikon edhe vetëdija shoqërore’’, deklaroi Shala.