Ambasada amerikane komenton vizitën e zyrtarëve ndërkombëtarë në spitalin e Mitrovicës së Veriut: “Ishte mision faktmbledhës”

10:19 | 13 Maj 2025
ambasada-amerikane-komenton-viziten-e-zyrtareve-nderkombetare-ne-spitalin-e-mitrovices-se-veriut:-“ishte-mision-faktmbledhes”

Përfaqësues të ambasadës amerikane në Kosovë bashkë me partnerë ndërkombëtarë qëndruan të hënën për vizitë në spitalin në Mitrovicën e Veriut.

Ambasada amerikane në një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se ky ishte një mision faktmbledhës për të kuptuar më mirë situatën në terren.

“Stabiliteti në Kosovë mbështetet në një lidership të përgjegjshëm që i jep përparësi dhe u përgjigjet nevojave të të gjithë popullit të saj”.

Një zëdhënës i kësaj ambasade ka thënë mes tjerash për Klankosova.tv se presin që Qeveria e Kosovës të sigurojë ofrimin e pandërprerë të shërbimeve kritike për qytetarët e Kosovës.

“Ambasada e SHBA-së gjithmonë e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të adresojë çështjen e institucioneve paralele të drejtuara nga Serbia brenda proceseve si Dialogu i Ndërmjetësuar nga BE-ja”, theksohet më tej në përgjigje, njofton Klankosova.tv.

Një ditë më parë, për vizitë në këtë spital qëndruan përfaqësues nga QUINT, Zyra e BE-së në Kosovë, EULEX-i, OSBE dhe KFOR-i.t

Sipas raportimeve, delegacioni u takua me zyrtarët e spitalit për të diskutuar punën e institucionit dhe rolin e tij në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë për to.

Delegacioni u prit nga Zlatan Elek, drejtor i Qendrës Spitalore Klinike të Mitrovicës së Veriut, së bashku me ekipin e tij.

Komento: