Ambasadori britanik takoi Trendafiloven: E vërteta dhe drejtësia duhet të triumfojnë

17:54 | 14 Maj 2025
ambasadori-britanik-takoi-trendafiloven:-e-verteta-dhe-drejtesia-duhet-te-triumfojne

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka pritur sot në Ambasadën Britanike në Prishtinë kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Përmes një postimi në Facebook, ambasadori britanik theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe rolin e Gjykatës Speciale  në sigurimin e drejtësisë dhe zbardhjen e të vërtetës për të gjitha viktimat e krimeve të luftës.

Ai përkujtoi përkushtimin që Kosova tregoi që në themelimin e gjykatës në vitin 2016, si një akt i rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe adresimin e krimeve të së kaluarës.

“Siç e mbështetëm Kosovën në vitin 1999, ne vazhdojmë ta mbështesim sot përmes përkrahjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, të cilat janë një pjesë integrale e sistemit të saj ligjor”, tha ambasadori, transmeton Telegrafi.

“E vërteta dhe drejtësia duhet të triumfojnë”, ka shkruar ambasadori.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, po qëndron në Kosovë ku ishte paraparë të mbajë edhe një konferencë për shtyp, por ajo të martën është anuluar për arsye sigurie, pas protestës së organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) para hotelit ku pritej të mbahej ngjarja.

Sipas një deklarate zyrtare nga Dhomat e Specializuara, vendimi për anulimin e konferencës u mor në interes të sigurisë publike dhe bazuar në këshillën e Policisë së Kosovës.

Gjatë protestës, veteranët hodhën tym të zi dhe brohoritën “UÇK, UÇK”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vizitës së Trendafilovës. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e cilësoi vizitën si “të papranueshme dhe fyese”, duke e akuzuar Gjykatën Speciale për qasje arrogante dhe për shtrembërim të historisë kombëtare.

Komento: