Arifi: Kallas solli porosi të qarta për mos-përshkallëzim dhe formim urgjent të institucioneve

09:14 | 24 Maj 2025
arifi:-kallas-solli-porosi-te-qarta-per-mos-pershkallezim-dhe-formim-urgjent-te-institucioneve


Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, për FrontOnline ka vlerësuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Prishtinë, si një vizitë me mesazhe serioze dhe të drejtpërdrejta për gjendjen politike dhe institucionale në Kosovë.

Sipas Arifit, porosia më e rëndësishme që solli Kallas ishte shmangia e përshkallëzimit të situatës në veri të vendit, pasi çdo tension i ri do të përkeqësonte një realitet tashmë të brishtë institucional në Kosovë.

Porosia e parë dhe serioze ishte që të mos përshkallëzohet situata në Veri të vendit, sepse në rast të përshkallëzimit më të thellë, Kosova nuk ka as Qeveri dhe as Kuvend, dhe mund të kishte kaos të panevojshëm,” theksoi Arifi.

Ai theksoi se vizita e Kallas lidhej drejtpërdrejt me nxitjen e formimit të institucioneve shtetërore, duke e konsideruar vonesën në këtë drejtim si të rrezikshme për sigurinë e vendit.

Vizita e Kallas lidhet me përshpejtimin e institucioneve sepse jemi jashtëzakonisht shumë vonë në këtë drejtim dhe çdo vonim po e dëmton dhe cënon sigurinë e vendit,” tha Arifi për FrontOnline.

Në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Arifi tha se ndonëse Kallas foli për një heqje graduale të tyre, kjo do të varet nga përkushtimi i Kosovës për të përmbushur detyrat e saj.

Heqja e sanksioneve, edhe pse e tha Kallas në formë graduale, por besoj se mund të ndodhë nga dinamika jonë – kjo varet nga ne dhe detyrat se si i bëjmë,” përfundoi ai.

 

Komento: