Asllani nga komuniteti ashkali kritikon thirrjen e LDK-së: Deklaratë shumë e rëndë, përjashtuese për komunitetet dhe jo-kushtetuese

18:19 | 06 Maj 2025
asllani-nga-komuniteti-ashkali-kritikon-thirrjen-e-ldk-se:-deklarate-shume-e-rende,-perjashtuese-per-komunitetet-dhe-jo-kushtetuese

Deputeti nga komuniteti ashkali, Arton Asllani, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie nacionale, duke e cilësuar atë si përjashtuese dhe jo në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

“Kishte qasje jo gjithëpërfshirëse dhe selektive. Kishte përjashtuar gjitha komunitetet dhe kjo bie ndesh me frymën kushtetuese,” deklaroi Asllani, duke theksuar se një qasje e tillë nuk reflekton realitetin e bashkëjetesës në Kosovë.

Ai shtoi se nuk beson që Abdixhiku e ka bërë këtë thirrje me qëllim përjashtues, por theksoi se ky është një detaj thelbësor që nuk duhej neglizhuar.

“Unë nuk po besoj se Abdixhiku e ka bërë qëllimisht këtë thirrje, por i ka ikur si detaj. Ne në Kosovë bashkëjetojmë. Më befasoi si deklaratë. Deklaratë shumë e rëndë, thirrje shumë e rëndë.” shtoi ai për FrontOnline

Asllani nënvizoi se komunitetet joshumicë nuk e meritojnë një trajtim të tillë, duke kujtuar kontributin e tyre në shtetndërtimin e Kosovës.

“Ne komunitetet nuk besoj se e meritojmë një përjashtim sepse kemi kontribuar për Kosovën. Kjo është frymë jo-kushtetuese.” potencoi tutje.

Ai paralajmëroi se grupi parlamentar që përfaqëson komunitetet do të dalë me një qëndrim të përbashkët.

“Ne si grup nesër do e japim një deklaratë të përbashkët të gjithë, sepse është e papranueshme. Ne nuk do iu nënshtrohemi askujt me i thënë ‘merrna në Qeveri’, por është dashur të mendojë edhe për ne,” përfundoi Asllani për FrontOnline.

Komento: