Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një kërcënim me jetë përmes një e-mail disa ditë më parë.
Për këto kërcënime, Presidenca e Kosovës ka thënë se janë njoftuar nga Prokuroria Speciale se nuk e kanë ngarkuar ende asnjë prokuror që të merret me rastin.
Në një përgjigje për Gazetën Express, këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, tha se deri tash ka pasë kërcënime në vazhdimësi dhe të tilla që janë bërë pa e fshehur identitetin.
“Rreth një javë pas raportimit të kërcënimit të fundit me jetë të Presidentes Osmani i ardhur në adresën elektronike zyrtare të Presidencës dhe hapjes së rastit nga Policia, sot jemi njoftuar nga Policia se Prokuroria Speciale se nuk e ka ngarkuar ende asnjë prokuror të merret me kërcënimet ndaj Presidentes Osmani. Deri tash ka pas dhjetëra kërcënime në vazhdimësi, por asnjë i arrestuar nga organet përgjegjëse, edhe pse shumë prej tyre kërcënimet i kanë bërë pa e fshehur identitetin”.
“Është shqetësuese të mos ketë një reagim efikas dhe të shpejtë nga organet përgjegjëse, ngase kemi të bëjmë me kërcënime ndaj kreut të shtetit të cilat janë edhe kërcënime ndaj rendit kushtetues, duke e ditur që për momentin Presidenca është institucioni i vetëm me kompetenca të plota”.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale dy ditë më parë i tha Gazetës Express se ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që e kanë kërcënuar me jetë presidenten Osmani.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryerësve të mundshëm të veprës penale”.
Po ashtu, Policia e Kosovës ka thënë se tashmë është iniciuar rast penal.
“Policia e Kosovës ditë më parë ka pranuar informacionin që ju i referoheni [rasti i kërcënimit të presidentes Osmani], sipas procedurave është njoftuar Prokurori i shtetit dhe është iniciuar rast penal”, u tha në përgjigjen e policisë për Express.