Bajrami pas refuzimit të AKK-së: S’kemi ftuar takim në zyre të LDK-së, por në Kuvend

20:35 | 20 Maj 2025
bajrami-pas-refuzimit-te-akk-se:-s’kemi-ftuar-takim-ne-zyre-te-ldk-se,-por-ne-kuvend

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas refuzimit të Autoritetit të Konkurrencës për takim.

Ajo e ka quajtur të pabesueshme këtë përgjigje të AKK-së dhe tha se po i ikin Kuvendit duke u thirrur në ligjin që siç u shpreh ajo, thotë se duhet t’i përgjigjen Kuvendit, përcjell Klankosova.tv.

Bajrami bëri edhe një sqarim, duke thënë se nuk kanë bërë ftesë për takim në zyre të LDK-së, por në Kuvend, ku siç u shpreh ajo, janë të ftuara të gjitha partitë “për të dhënë llogari para deputetëve e qytetarëve të këtij vendi”.

Deputetja përmes një postimi në Facebook ka bërë publike edhe pyetjet që kishte planifikuar t’i bënte nesër në takim.

Pyetjet e publikuara nga Hykmete Bajrami:

A ka KESCO pozitë dominuese në tregun e energjisë?

Shihni çfarë thotë LIGJI Nr. 08/L-056 – LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS

Neni 9 – Keqpërdorimi i pozitës dominuese

  1. Ndalohet keqpërdorimi i pozitës dominuese.
  2. Ndërmarrja ose grupimi i ndërmarrjeve keqpërdor pozitën dominuese nëse:

2.1. drejtpërdrejt ose tërthorazi vendos çmim të padrejtë të blerjes ose shitjes ose kushte të tjera të padrejta tregtare;

2.2. kufizon prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve;

2.3. zbaton kushte të ndryshme për transaksione të barasvlershme me ndërmarrjet e tjera, duke i vënë ato në pozitë të pafavorshme konkurruese;

2.4. kushtëzon lidhjen e kontratës me detyrime shtesë që nga natyra ose përdorimi tregtar nuk kanë lidhje me objektin e kontratës;

2.5. vendos çmime ose kushte të tjera që kanë për qëllim ose rezultat pengimin e hyrjes në tregun përkatës ose nxjerrjen jashtë tregut përkatës të konkurrentëve të veçantë ose të produktit të tyre;

2.6. i refuzon ndërmarrjes tjetër qasje kundrejt shpërblimit të përshtatshëm në rrjet ose infrastrukturë, duke ia pamundësuar të veprojë si konkurrent.

  1. Autoriteti nxjerr akt nënligjor për keqpërdorimin e pozitës dominuese.”

Pyetja tjetër për Autoritetin që po refuzojë të vijnë nesër në takim është:

A keni bërë vlerësimin e konkurrencës në bashkëpunim me ZRRE-në, siç e kërkon Ligji për Energjinë Elektrike?

“LIGJI Nr. 05/L – 085 – LIGJ PËR ENERGJINË ELEKTRIKE

Neni 26 – Zhvillimi i Konkurrencës

  1. Rregullatori, në konsultim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës dhe me Zyrën e Ndihmës Shtetërore, së paku çdo dy (2) vite duhet të kryejë hetime lidhur me funksionimin e tregut të energjisë elektrike. Raportet e Rregullatorit duhet të publikohen pa vonesë.”

– Një vlerësim që keni bë në 2023, keni ardhë në përfundim se s’ka konkurrencë dhe se ka koncentrim të tregur.  Pyetja është çka ka ndryshu sot? A ka vlerësim të tjetër, për të cilin ne nuk dimë gjë?

Në vend që të përgjigjeni me profesionalizëm, ju paskeni zgjedhë të mos vini në Kuvend, por refuzimi dhe heshtja nuk është pavarësi – është thënë më se buti paaftësi. Për pavarësinë s’po flasim fare sepse e dimë sa të pavarur jeni.

Ne megjithatë do të jemi nesër në Kuvend, bashkë me përfaqësues të bizneseve, ZRRE-së, KESCO-s dhe nuk do të ndalemi së pyeturi e së kërkuari përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe deformimin e tregut.

 

Komento: