Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se propozimi i LDK-së për të dalë nga ky ngërç politik është një qeveri nacionale e tranzicionit.
Ajo tha se kushdo që e kundërshton këtë propozim atëherë le të japin të tyre se si duhet të dilet nga bllokada.
“Ky është propozimi ynë për të zhbllokuar situatën, nëse të tjerët nuk duan atëherë le të urdhërojnë dhe le ta zhbllokojnë. Le të dalin me propozimet e tyre dhe le ta bëjnë një shumicë dhe ta zhbllokojnë situatën. Në natën e zgjedhjeve e kemi thënë që qytetari na e ka dhënë këtë rezultat dhe e respektojmë”, tha ajo.
Bajrami tha se pas qëndrimit që e kishin dhënë që qëndrojnë në opozitë “ne kemi bërë një hap tutje dhe kemi lëshuar pe dhe kemi thënë se po ulemi me të gjitha partitë politike dhe të gjejmë një zgjidhje politike”.
“Nëse të tjerët s’e pranojnë propozimin tonë, atëherë duhet të dalin me propozim”, përsëriti Bajrami.
Ajo tha se për një koalicion vetëm me Vetëvendosjen nuk lëvizin nga qëndrimi që e kanë dhënë në fillim.
“Po besoj që kemi të qenë qartë që nga fillimi. Nuk kemi qenë në pritje të lutjeve ose të letrave nga Vetëvendosje për ta formësuar ose ndryshuar qëndrimin tonë. Kemi thënë që s’jemi të interesuar të kemi një qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje. I kemi ftuar të gjithë, i mirëpresim nëse vijnë dhe ulemi. S’kemi vendosur asnjë kusht sepse gjithçka do të jetë subjekt i diskutimit në këtë tryezë të përbashkët, duke përfshirë edhe kryetarin e parlamentit në mënyrë që të dalim nga kjo bllokada”.
“Nuk po dëshirojmë që t’ia marrim fitoren zotëri Kurtit. Janë 15 parti parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Kryetarët e parlamentit dhe qeveria formohen me marrëveshje politike, le të urdhërojë le të bëjë marrëveshje politike”.
“Ai na ka bërë neve ofertë për marrëveshje politike, ne kemi refuzuar për të satën herë. Le të urdhërojë me partitë e tjera dhe le ta bëjë”.