Baraliu: Presidentja duhej të ndërhynte – kërkesa e AAK-së është me vend, por i shkon për shtati edhe VV-së

18:25 | 09 Maj 2025
baraliu:-presidentja-duhej-te-nderhynte-–-kerkesa-e-aak-se-eshte-me-vend,-por-i-shkon-per-shtati-edhe-vv-se


Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu, për FrontOnline ka komentuar kërkesën e AAK-së për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për ndryshimin e formës së votimit nga votim i hapur në të mbyllur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ai vlerësoi këtë iniciativë si të drejtë dhe të nevojshme, duke theksuar nevojën për ndërhyrje edhe nga Presidentja e vendit.

“Ka qenë dashur që vetë Presidentja të ndërhyjë. Nuk e di pse nuk ka ndërhy në këtë aspekt, sepse e ka edhe obligim kushtetues,” u shpreh Baraliu për FrontOnline, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në një çështje që sipas tij kërkon trajtim urgjent.

Ai shtoi se kërkesa e AAK-së është një iniciativë e mirë dhe duhet të trajtohet sa më parë, si nga Presidentja ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese.

“Duhet të veprohet në këtë aspekt të shihet a ka apo s’ka shkelje dhe çka duhet të bëjnë palët.” shtoi ai.

 

Baraliu gjithashtu theksoi se kjo kërkesë, përveç se është e drejtë në aspektin ligjor, mund t’i vijë në ndihmë edhe Lëvizjes Vetëvendosje për të fituar kohë, duke qenë se aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

 “Kjo kërkesë i shkon për shtati edhe VV-së për blerje të kohës sepse nuk i kanë votat për të kaluar kryetarin e Kuvendit. Para votuesve askush nuk ka ftyrë të arsyetohet për asgjë as ata të opozitës e as këta që ishin në pushtet’’  përfundoi ai për FrontOnline.

Komento: