Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas, siç ka thënë ai, “mjegullës së krijuar” rreth fondeve që Kosova pritet t’i marrë nga Plani i Rritjes së BE-së.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha obligimet në kohë, por sipas tij, është Komisioni Evropian ai që ka vonuar procesin, për shkak të aprovimit të vonuar të planit në Këshillin e BE-së.
“Në qoftë se Komisioni Evropian do t’i përmbahej këtyre afateve të paracaktuara nga ana e tyre, ne sot do ta kishim një marrëveshje të ratifikuar të Planit të Rritjes dhe do të kishim pranuar paradhënien tashmë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Sipas tij, asnjë pagesë nuk do të humbet dhe fondet do të disbursohen sapo të ratifikohet marrëveshja.
“Buxheti i Kosovës është substancial dhe vonesat që janë shkaktuar si rezultat i mosvotimit të krijimit të institucioneve, në asnjë moment nuk e vendosin buxhetin e Kosovës në vështirësi nëse fondet nga ana e BE-së nuk pranohen”, ka shkruar tutje ai.
Ai ka shtuar se pavarësisht vonesave në konstituimin e Kuvendit, aparati shtetëror funksionon normalisht dhe agjenda e reformave nuk është në rrezik.
Në dallim nga deklarata e Bislimit, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar një aspekt tjetër të problemit, që është moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Osmani pas takimit me liderët e partive ka paralajmëruar se mungesa e një Kuvendi funksional po shkakton pasoja serioze për vendin, përfshirë edhe zvarritjen e panevojshme të procesit të disbursimit të fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili kap vlerën prej rreth 900 milionë eurosh.
Sipas saj, ndikimi negativ nuk ndalet vetëm te fondet: vonohen edhe proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, miratimi i ligjeve të nevojshme, dëmtohet besimi i qytetarëve në institucione, dhe për më tepër, dëmtohet imazhi i shtetit në arenën ndërkombëtare.