Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s për Evropën, Wesley Clark, ka shprehur shqetësim serioz për situatën politike në Kosovë, duke theksuar se mungesa e një qeverie të formuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit përbën një rrezik për stabilitetin e vendit dhe rajonit, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë një paneli diskutimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton të SHBA-së, Clark u ndal te vakuumi institucional në Kosovë, duke e cilësuar atë si një faktor destabilizues.
“Nuk ka një qeveri të formuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit, dhe ka shqetësime serioze për të ardhmen,” deklaroi ai, duke shtuar se “Kosova po pret si një pikë e nxehtë që mund të shpërthejë në momentin më të papërshtatshëm.”
Ai theksoi se kjo situatë e pasigurisë politike, së bashku me tensionet e pazgjidhura me Serbinë, e vendosin Kosovën në një pozitë të brishtë, që kërkon vëmendje dhe veprim të koordinuar nga bashkësia ndërkombëtare.