Shtrenjtimi i energjisë elektrike nga ky muaj për 16.1% ka nxitur një valë shtrenjtimesh në vend, duke e vështirësuar edhe më tej situatën ekonomike dhe sociale.
Konsumatorët po ankohen se çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur dukshëm, në shpërputhje me pagat e tyre në sektorin publik dhe privat.
Paga mesatare në Kosovë është nën 600 euro, e cila është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet elementare të familjeve kosovare, marrë për bazë inflacionin e lartë në vend.
Shembull domatet në tregun e Kosovës shiten deri në 1.99 euro për kilogram, ndërsa në Gjermani, me zbritje, konsumatorët i blejnë për vetëm 1.19 euro. Trangujt 1.29 euro në Kosovë, ndërsa në Gjermani, me ofertë, vetëm 0.85 euro.
Përveç produkteve ushqimore, çmimet e larta kanë prekur edhe konsumin ditor madje edhe një kafe tashmë është bërë ‘’luks ‘’për shumë qytetarë. Në disa qytete të Kosovës, çmimi i një kafeje ka arritur deri në 2 euro, duke i rivalizuar çmimet e vendeve të Evropës.
Rritja e energjisë elektrike gjithashtu ka krijuar një efekt zinxhir në sektorët e tjerë – nga prodhimi e deri te shërbimet më të vogla. E në mungesë të ndërhyrjes së institucioneve për të kontrolluar çmimet ose për të mbrojtur konsumatorin, tregu ka filluar të “vetëshkruajë” çmimet në dëm të qytetarëve.
Selatin Kaçaniku: Çmimet janë rritur dukshëm në Kosovë
Themeluesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka reaguar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve në tregun e Kosovës, duke theksuar se problemi është shumë më i thellë sesa thjesht rritja e kostos së energjisë.
Ai thotë se shtetet eksportuese zakonisht i subvencionojnë eksportet e tyre, prandaj produktet e importuara në Kosovë do të duhej të ishin më të lira .Por ndodh e kundërta thotë ai, në Kosovë çmimet janë më të larta dhe konsumatori e pëson.
‘’ Çdo eksport i subvencionuar që te ne vjen si import do të duhej të ishte me çmim më të lirë te ne. Në Gjermani shembull ndodhë e kundërta, në Kosovë konsumatori jo që nuk ka mbrojtje por e ka ‘’sallamadi’’ kushdo sa të do mund të marrë nga konsumatori pa u turpëruar fare ‘’ , deklaron Kacaniku.
Kryetari i AKB-së: Varësia nga importi e bën të pashmangshme rritjen e çmimeve
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është deklaruar ndaj situatës së çmimeve në tregun kosovar, duke e lidhur rritjen e tyre drejtpërdrejt me mungesën e prodhimit vendor dhe varësinë e madhe nga importet. Sipas Shahinit, importet në Kosovë arrijnë mbi 6.3 miliardë euro në vit, ndërsa infrastruktura ligjore po ngarkohet gjithnjë e më shumë me rregullore të reja, që më shumë e komplikojnë punën e bizneseve sesa e lehtësojnë.
‘’Ngritja e çmimeve në Kosovë është si pasojë e mungesës së prodhimit vendor e importeve që janë mbi 6,3 miliardë euro në nivel vjetor si dhe infrastruktura ligjore e cila është për çdo ditë duke u ngarkuar me rregullore të reja të cilat janë më shumë ngarkuese sesa lehtësuese’’, thotë Shahini.
Ai nënvizon gjithashtu ndikimin e drejtpërdrejtë që ka rritja e çmimit të energjisë elektrike në koston përfundimtare të produkteve dhe shërbimeve, duke e rënduar edhe më shumë situatën për qytetarët.
‘’Rritja e çmimeve esenciale po ashtu është shumë duke u varur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike’’, deklaroi kryetari i AKB-së.
Sipas Shahinit bizneset përpiqen të ruajnë një ekuilibër, por varësia nga importi dhe faktorët e jashtëm e bëjnë të pashmangshme rritjen e çmimeve.
‘’Të gjitha këto janë në kurriz të konsumatorit, bizneset janë duke tentuar që ta mbajnë një balancë, por kur ne varemi nga importi dhe faktorë të jashtëm bizneset domosdoshmërisht do ti rrisin çmimet’’, tha Shahini.
Shahini thotë se konsumatorët e përballojnë këtë realitet me paga shumë më të ulëta se në vendet perëndimore, dhe çmimet në shumë raste dukenmë të larta.
‘’ Konsumatorët kanë të drejtë të ankohen për ngritjet e çmimet të cilat disa mendojnë se janë çmime më të shtrenjta se në perëndim për arsye se pagat këtu janë të dobëta dhe kjo bën që konsumatori të jetë buzë skajit të varfërisë’’, përfundoi Shahini.
Bellaqa: Çmimet në Kosovë po ngriten në mënyrë të pakontrolluar nga tregtarët
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka reaguar ndaj situatës me çmimet në Kosovë, duke e quajtur keqpërdorim të hapur të rritjes së çmimit të energjisë dhe inflacionit nga ana e tregtarëve.
“Situata e inflacionit dhe rritja e çmimit të rrymës po keqpërdoren nga një pjesë e tregtarëve për të ngritur çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe të pajustifikueshme,” thekson Bellaqa.
Ai vëren se çmimet nuk po bazohen më në ekuilibrin mes ofertës dhe kërkesës, por po vendosen mbi treg, sipas marzhës tregtare, duke injoruar konkurrencën.
‘’Çmimet po i ngrisin ne bazë te forcës se ofertës dhe të kërkesës dhe duke ngritur çmimet sipas marzhës tregtare dhe jo çmime te konkurueshme dhe sipas tregut po mbi tregun’’, deklaroi Bellaqa.
Sipas tij, kjo qasje po rrezikon direkt shportën e konsumatorit dhe ekonominë familjare. Fuqia blerëse po dobësohet dukshëm dhe si pasojë po eliminohet shtresa e mesme, e cila po rrëshqet drejt varfërisë.
‘’Kështu rrezikohet shporta e konsumatorit dhe ekonomia familjare, dhe dobësohet fuqia blerëse ku si pasojë po eliminohet shtresa e mesme ekonomike sepse po varfërohet dhe po shndërrohet ne shtrese te varfun’’, tha Bellaqa.
Bellaqa thotë se në këtë situatë duhet të ndërhyjnë urgjentisht institucionet përgjegjëse të shtetit, përfshirë Inspektoratin e Tregut dhe Autoritetin e Konkurrencës.
‘’Por, ne ketë rast duhet te intervenojë institucionet përgjegjëse të shtetit, si Inspektorati tregut dhe Autoriteti Konkurrencës qe te mos përkeqësohet situata e tregut, dhe çmimet te kontrollohen dhe te ketë politika të qarta te çmimeve’’, përfundoi Bellaqa.