Në një debat të mbajtur në Bundestagun gjerman, Kosova ishte ndër temat e diskutuara, ku u theksua rëndësia e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe përkrahja për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Ministri i Shtetit për Çështje të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i paqëndrueshëm, ku edhe shtroi pyetje se “Çfarë sinjali do të ishte nëse Gjermania, si vendi më i madh i BE-së, do të tërhiqej nga Kosova,” deklaroi Hahn.
Ai kujtoi rëndësinë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, me mbështetjen aktive të Francës dhe Gjermanisë. Sipas tij, kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve përmban detyrime të qarta për të dyja palët.
“Qytetarët në të dy anët e kufirit presin me të drejtë që këto marrëveshje të zbatohen,” tha ai, duke shtuar se mbështetja për rrugën evropiane të rajonit varet nga vullneti për reforma dhe përkushtimi i vetë udhëheqësve politikë.
Në të njëjtin debat, deputeti i CDU-së, Volker Mayer-Lay, kritikoi hapur presidentin serb Aleksandër Vuçiq, duke e akuzuar për një qëndrim të dyfishtë ndaj procesit të normalizimit.
“Presidenti Vuçiq flet me BE-në për normalizim, por në të njëjtën kohë toleron forcat nacionaliste në vend, shpesh nën duartrokitjet e Moskës,” theksoi Mayer-Lay.
Kosova u përmend gjithashtu edhe në debatin që shënoi 75-vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në Këshillin e Evropës. Deputeti kristiandemokrat, Knut Abraham, shfrytëzoi fjalën e tij për të kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, raporton DW, transmeton Gazeta Express.
“Demokracia më e re evropiane, sipas shumicës dërrmuese në Asamblenë Parlamentare, i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Tani është në dorë të qeverive të marrin një vendim përfundimtar,” u shpreh Abraham, duke i bërë thirrje qeverisë gjermane të veprojë në këtë drejtim.