Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, për FrontOnline ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila qëndroi në Kosovë për të takuar liderët e partive politike parlamentare. Sipas Dedajt, kjo vizitë ndodhi në një moment të rëndë institucional për vendin, duke e krahasuar situatën aktuale me vitet e ’90-ta.
“Vizita e zonjës Kaja Kallas ishte një vizitë me rëndësi e një personaliteti të lartë të BE në Kosovën pa institucione, pa kuvend dhe pa qeveri. Pra, kjo na ktheu në vitet e 90-ta kur nuk kishim shtet, por ishim partitë politike të asaj kohe që flisnim me zyrtarët ndërkombëtar për lirinë e Kosovës,” deklaroi Dedaj.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për defaktorizim dhe degradim të shtetit, duke e quajtur Kurtin “uzurpator të lirisë dhe demokracisë”.
“Një situatë e tillë është degradim dhe defaktorizim i shtetit të Kosovës nga uzurpatori i lirisë dhe i demokracisë Albin Kurti dhe LVV,” shtoi ai.
Dedaj gjithashtu vuri në dukje se përshkallëzimet në veri të Kosovës janë produkt i bashkëpunimit të fshehtë mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Përshkallëzimet në veri të Kosovës i shkakton dhe orkestron Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti, të cilët e ruajnë pushtetin e tyre me inskenime, situata dramatike dhe kërcënime të ngjashme, duke e keqpërdorur politikisht këtë pjesë të Republikës së Kosovës,” u shpreh ai për FrontOnline.
Sipas tij, edhe pse BE dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë vazhdimisht qetësim të situatës, kjo nuk u përshtatet regjimeve në Prishtinë dhe Beograd.
“Kaja Kallas dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë de-përshkallëzim dhe stabilitet në veri, por kjo nuk i konvenon regjimeve populiste në Prishtinë dhe Beograd,” tha Dedaj.
Ai e akuzoi personalisht Kurtin se po bllokon formimin e institucioneve, duke tentuar ta shndërrojë shtetin në një “monarki dhe diktaturë”.
“Formimin e institucioneve shtetërore të Kosovës është duke i bllokuar vetë deputeti Albin Kurti, i cili e ka uzurpuar dhe privatizuar shtetin e Kosovës, duke tentuar ta shndërrojë në monizëm, monarki dhe diktaturë,” u shpreh Dedaj.
Lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Dedaj tha se ato kanë sjellë vetëm pasoja negative dhe degradim në çdo fushë të jetës.
“Masat dhe sanksionet ndaj Kosovës e kanë dhënë, po e japin dhe do ta japin efektin e tyre negativ, degradues dhe dëmtues të Kosovës… ndërsa e kanë faktorizuar Serbinë para botës,” paralajmëroi ai për FrontOnline.
Dedaj e konsideroi rrëzimin e Qeverisë Kurti si të vetmen rrugë drejt rikthimit të demokracisë dhe integrimeve euroatlantike.
“Rrëzimi i regjimit të Albin Kurtit është një fitore e demokracisë, rilindje e Kosovës dhe rivendosje e saj në normalitet dhe në agjendën e SHBA, BE dhe NATO-s,” përfundoi Dedaj.