Një tjetër përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të bëhet nesër. Kjo do të jetë seanca e 21-të çdo 48 orë që nga 15 prilli. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
VV në të gjitha seancat e fundit ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në votim të fshehtë, për çka nuk ka marrë përkrahje.
Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po vazhdon, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën e krijuar.
Para seancës së fundit, a të së premtes madje pati deklarata se janë ofruar poste në këmbim të votës për Albulena Haxhiun. Ishte deputetja boshnjake, Duda Balje ajo që ka konfirmuar se i kanë ofruar punë si profesoreshë në Maqedoni të Veriut, në këmbim të votës për zgjedhjen e Albulena Haxhiu Kryetare Kuvendi.
Balje tha se ka pasur 2-3 thirrje për këtë çështje, por se ka refuzuar duke e cilësuar këtë si të papranueshme.
“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje, që s’janë persona direkt, të politikës. Janë shoqëri. Para disa vite kam apliku për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse kam shtetësinë e Maqedonisë dhe e flas mirë gjuhën. Kam plotësu krejt kushtet. Më s’kam apliku. Tash kanë thanë se ka mundësi me bisedu për vendin e punës”, ka thënë Balje të premten.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.
Presidentja Osmani pas një takimi që kishte javën e kaluar me krerët e partive politike, ka paralajmëruar se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, nëse nuk gjindet një zgjidhje. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim nga palët.
Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.