Deputeti Asllani nga komuniteti ashkali: Zgjidhja duhet të vijë nga partitë e mëdha, nuk i takon askujt t’i tregojë VV-së kë të kandidojë për kryetar Kuvendi

09:38 | 29 Prill 2025
deputeti-asllani-nga-komuniteti-ashkali:-zgjidhja-duhet-te-vije-nga-partite-e-medha,-nuk-i-takon-askujt-t’i-tregoje-vv-se-ke-te-kandidoje-per-kryetar-kuvendi


Deputeti Asllani nga komuniteti ashkali: Zgjidhja duhet të vijë nga partitë e mëdha, nuk i takon askujt t’i tregojë VV-së kë të kandidojë për kryetar Kuvendi

Deputeti nga komuniteti ashkali, Arton Asllani, ka komentuar zhvillimet rreth bllokadës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se kjo pozitë i takon subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe se partitë e vogla nuk mund të ndërhyjnë në vendimet e saj.

“Pozita e kryetarit të Kuvendit i takon VV-së dhe ne nuk mundemi të ndikojmë tek ajo se kë e kandidojnë për kryetar të Kuvendit,” ka deklaruar Asllani.

Sipas tij, është e domosdoshme që fillimisht partitë kryesore të arrijnë një marrëveshje politike, e më pas partitë e komuniteteve duhet ta mbështesin atë.

“Zgjidhja politike duhet të vijë nga partitë e mëdha e pastaj partitë e minoriteteve duhet mbështetur marrëveshjen,” tha ai për FrontOnline.

Asllani shprehu rezervë ndaj qëndrimeve që synojnë të ndikojnë në kandidaturat e brendshme të Vetëvendosjes, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të krijojë probleme edhe në funksionimin e mëtejshëm të institucioneve:

“Partitë e mëdha duhet me u marrë vesh dhe nuk mundëm me dhënë mendim se a duhet VV të ndryshoj emrin për kryetar të Kuvendit, por me këtë qasje mund të kishte ngërç edhe tek zgjidhja e nënkryetarëve.” shtoi ai.

Ai shprehu qëndrimin e tij me thirrjen për maturi politike dhe shmangie të precedentëve të dëmshëm në këtë legjislaturë:

“Nuk jam për të krijuar precedent të ri në legjislaturën e nëntë. Për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, duhet me bërë një marrëveshje, por nuk duhet treguar VV-së se kë duhet vendosin kandidat për kryetar Kuvendi.” përfundoi deputeti Asllani.

Komento: