Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është deklaruar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të lejuar një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike deri në 30% për bizneset e mëdha, duke theksuar se ky është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë kosovare dhe qytetarëve.
Shala ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të kontrollit dhe mbrojtjes së interesave të publikut, duke favorizuar kompanitë private që operojnë në sektorin energjetik, si KEDS, KESCO, NOA dhe GEN. Ai ka theksuar se, ndërsa qytetarët dhe bizneset përballen me çmime gjithnjë e më të larta të energjisë, këto kompani vazhdojnë të realizojnë fitime të garantuara pa asnjë rrezik të dukshëm.
“Ne po shohim një realitet të dëmshëm, ku në vend të kontrollit publik, kemi fitime të garantuara për kompanitë private, ndërsa qytetari i zakonshëm paguan gjithnjë e më shumë,” ka thënë Shala.
Sipas Shalës, ky sistem i ri që do të detyrojë bizneset të kalojnë në tregun e hapur të energjisë do të sjellë pasoja të mëdha për sektorin privat dhe do të përkeqësojë situatën ekonomike për shumë kompani, që tashmë përballen me kushte të vështira
‘’Sot bizneset që po pritet të dalin në tregun e lirë kanë marrë ofertat me 225% më shtrenjtë se çmimi aktual i bursës’’, tha deputeti i PDK-së.